Misteri i takimit Radoiçiç-Gjuriç, Beogradi nuk pranon të flasë, SHBA: Krimineli të mbajë përgjegjësi

Tre ditë pas publikimit të një fotoje në rrjetin social X, ku shfaqej ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriç me ish-zv/kreytarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç, mbetet ende mister koha dhe vendi i takimit mes të dyve.

Gjuriç, i cili ka thënë se nuk turpërohet për kontaktet e tij, refuzon ti përgjigjet pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me detajet e takimit me njeriun që kërkohet nga Interpol.

Në një reagim ditën e hënë, Departamenti Amerikan i Shtetit tha se është në dijenitë raportimeve në media për takimin mes ambasadorit serb në SHBA dhe Milan Radoiçiç, i cili është në listën e zezë të SHBA-së për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.

“Ne kemi një qëndrim të qartë për zotin Radoiçiç. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbahet përgjegjës”, thuhet në reagimin e DASH.

Në reagimin për Radion Evropa e Lirë, DASH thekson se Serbia duhet të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin “e kryer nga strukturat paraushtarake në Banjskë të Kosovës, që rezultoi me vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë”.

Bashkimi Europian reagoi përmes zëdhënësit Peter Stano, i cili tha se nuk i takon të komentojë takimet e zyrtarëve serbe dhe se do të shprehen më qartë mbi përgjegjësit e mundshëm pas përfundimit të hetimeve për Banjskën.

Nuk na takon ne të komentojmë çdo takim të anëtarëve të administratës serbe me njerëz të ndryshëm. Por kur aludoni për sulmet në Banjskë, qëndrimi i Bashkimit Evropian mbetet i njëjtë. Jemi në pritje të raportit zyrtar përfundimtar nga hetimi dhe më pas do të shohim se si do të sigurohet llogaridhënia. Deri më tani, ne nuk kemi parë një raport të tillë këtu në Bruksel”, deklaroi Stano.

Fotoja ku Gjuriç me Radoiçiç shfaqen në një restorant është publikuar më 9 mars. Milan Radoiçiç, ka marrë përsipër autorësinë e sulmit të armatosur në Banjskë më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Ai po mbrohet në liri në shtetin serb.