Marrëveshja e kryeministrit Edi Rama me homologen italiane Giorgia Meloni për emigrantët ka sjellë reagime të shumta nga europianët. Edhe pse fillimisht u pa si një model që mund të adaptohej nga vende të tjera Bashkimit Europian, për Francën dhe Spanjën modeli i Shqipërisë nuk i zgjidh problemet me emigrantët por i krijon ato.
Në një konferencë për shtyp fund të samitit të këshillit të BE-së, Macron tha se i vetmi model që funksionon për emigrantët është ai evropian. Sipas tij vendet e BE nuk mund të veprojnë në mënyrë të izoluar, shkruan A2.
“Dëgjoj shumë komente për këtë apo atë model për emigrantët. I vetmi model që funksionon përballë emigracionit të parregullt dhe të gjitha lëvizjeve klandestine është një model evropian që është pragmatik, por që respekton vlerat tona”.
Sipas tij nëse veprohet në mënyrë të izoluar shkatërrohen interesat europiane.
“Nëse veprojmë në mënyrë të izoluar, shkatërrojmë kolektivisht interesat evropiane. Në të kaluarën modelet e tjera nuk e kanë demonstruar efektivitetin e tyre dhe ajo që ka bllokuar Evropën ishte kur vendet donin të vepronin të vetëm dhe nuk donin “solidaritet”, theksoi Macron.
Edhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, u tregua i prerë në qëndrimin e tij mbi këtë çështje. Ai tha se ishte kundër modelit të Shqipërisë për emigrantët, por për bahskëpunim me vendet e origjinës.
“Qëndrimi ynë është i qartë. Ne nuk jemi pro këtyre formulave si ajo e modelit të Shqipërisë që nuk adresojnë problemet dhe krijojnë të tjera. Ne jemi për një vizion më të gjerë, në favor të bashkëpunimit me vendet e origjinës, në favor të emigracionit të rregullt”.
Në fund të Këshillit të BE-së, Sanzhez kritikoi Hungarinë për politikat e saj të emigracionit dhe theksoi se nuk mirëqenia e Evropës varet nga politikat e migracionit.
“Hungaria ka marrë politikat evropiane për një kohë të gjatë, ajo nuk po u përgjigjet nevojave të momentit në Ukrainë. Për migrantët ne kemi një qëndrim të bazuar në humanizëm. Një migrim i rregullt dhe i përgjegjshëm është përgjigja ndaj problemit demokratik që prek Spanjën dhe Evropën. Mirëqenia jonë varet nga politika e migracionit. Qeveria spanjolle ka një ide shumë të qartë: mbrojtjen e koherencës dhe ligjit ndërkombëtar, në Ukrainë, si në Lindjen e Mesme. Ashtu si në migrim, nëse nuk jemi konsistent me parimet tona, do ta humbnim luftën morale dhe të gjithë si evropianë do të humbnim”, nënvizoi ai.