Moment historik, Maqedonia e Veriut me kryeministër shqiptar

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miraton ditën e sotme qeverinë teknike me kryeministër shqiptar Talat Xhaferin.

Mandati i kësaj qeverie do të jetë 100 ditë dhe detyra e këtij ekzekutivi është përgatitja e vendit për zgjedhjet parlamentare të 8 majit.

Talat Xhaferi i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë, ku megjithatë nuk ka shumë ndryshime në ministra, ndërsa zëvendëskryeministri i parë do t’i takojë LSDM-së.

Kryetari i partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, e cilësoi këtë një ditë historike.

Talat Xhaferi deri më tani ka mbajtur detyrën e kryetarit të Parlamentit, ndërsa nga sot do të marrë detyrën për të drejtuar qeverinë teknike që do të çojë vendin në zgjedhjet e dyfishta që do mbahen në muajin maj.