Musk bëhet personi i parë që pasuria i vlerësohet 400 miliardë dollarë

Personi më i pasur në botë ka arritur një tjetër moment historik.

Pasuria neto e Elon Muskut ka arritur 400 miliardë dollarë, sipas Bloomberg, duke e bërë atë personin e parë në histori që kapërcen këtë shifër.

Pas rritjes së pasurisë prej gati 20 miliardë dollarësh qëndron një marrëveshje që ngriti vlerën e kompanisë së raketave, SpaceX, në rreth 350 miliardë dollarë, raportoi Bloomberg.

SpaceX dhe investitorët e saj ranë dakord të blejnë deri në 1.25 miliardë dollarë aksione të brendshme.

Që nga zgjedhjet presidenciale amerikane, Musk ka përjetuar një rritje të madhe të pasurisë, shkruan cnn.

Një aleancë me presidentin e zgjedhur Donald Trump ka shtyrë përpara ndërmarrjet e tij. Musk është shefi ekzekutiv i Tesla-s dhe SpaceX, si dhe pronari i X dhe drejtues i sipërmarrjeve të tjera, përfshirë Neuralink, xAI dhe The Boring Company. Tani, së bashku me Vivek Ramaswamy, ai do të mbikëqyrë një “Departament të Efikasitetit Qeveritar” (DOGE), i emërtuar pas një monedhe memesh.

Aksionet e Teslas u rritën në një rekord të ri prej 415 dollarësh të mërkurën. Që nga Dita e Zgjedhjeve, aksionet e prodhuesit të automjeteve elektrike janë rritur rreth 65 për qind, për shkak të besimit të investitorëve se ndikimi i Muskut në administratën Trump do të sjellë një epokë të re të ri-rregulimit që do të përfitojnë kompanitë. Musk është aksionari më i madh individual i Teslas.

Startup-i i tij i inteligjencës artificiale, xAI, gjithashtu dyfishoi vlerën në muajin nëntor gjatë një raundi të ri financimi, duke u rritur në 50 miliardë dollarë, sipas Wall Street Journal.

Njeriu më i pasur në botë tani është rreth 136 miliardë dollarë më i pasur që nga 5 nëntori, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg.

Ndërsa vendet e para në indeksin e miliarderëve zakonisht ndërrohen, Musk po lë pas rivalët e pasur. Më 10 dhjetor, para se pasuria ti rritej në 400 miliardë dollarë, ai tashmë ishte 140 miliardë dollarë më i pasur se personi i dytë më i pasur në botë, themeluesi i Amazon, Jeff Bezos.