Musliu: Sigurinë në veri e cenon trinomi Putin-Vuçiq-Radoiçiq

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka thënë se situatën e sigurisë në veri të Republikës së Kosovës e cenon trinomi Putin-Vuçiqi-Radoiçiq.

Musliu ka thënë se klika e presidentit serb Vuçiq është e shkolluar nga Millosheviqi.

“Millosheviqi e kishte Arkanin, Vuçiqi ka shumë arkana – Radoiçiqin, Veselinoviqin, Velja Belivukun që i ka bluar në makinë mishit viktimat”, ka thënë Musliu për RTK.

Më tej ai ka thënë se, Kisha Serbe ka qenë promotori i luftërave në ish-Jugosllavi.

“Ajo është më e fortë se shteti i tyre”, tha ai.

Musliu, që është drejtor i Institutit “Octopus”, ka thënë se “prej themelimit të shtetit serb ka pasur një parim: vrasja e kujtdo për interesa”.

“Kanë vrarë fëmijë shqiptarësh, boshnjakësh e kroatësh; kanë vrarë edhe fëmijë serbë për t’i fajësuar shqiptarët; kanë vrarë edhe kryeministra e prijës të vetë për ta ndaluar paqen!”, ka thënë Musliu.