Muzeu Arkeologjik në Durrës, një thesar i vyer i historisë sonë të Antikitetit me më shumë se 2400 objekte, të cilat me përfundimin e restaurimit do të ekspozohen në pavijone tërësisht të reja, po rilind nga e para pas goditjes nga tërmeti.
Kryeministri Edi Rama, pa sot nga afër punën për restaurimin e muzeut.
2400 objektet në këtë muze do të ekspozohen në pavijone tërësisht të reja me ndriçim dhe kushte bashkëkohore, e që bashkë me rikualifikimin e hapësirës në oborrin e muzeut do të kthehen në një nga atraksionet më të rëndësishme të turizmit historik në vend.
Punimet për restaurimin e muzeut pritet të përfundojnë në vjeshtën e këtij viti, kohë kur muzeu do të hapë edhe dyert për vizitorë të shumtë.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit është muzeu arkeologjik më i madh në Shqipëri.
I themeluar në vitin 1951, muzeu ka një koleksion të pasur me objekte që datojnë nga periudha parahistorike deri në shekullin IV pas Krishtit. Këto objekte janë zbuluar kryesisht në sitin antik të Dyrrahut, i njohur ndryshe si Dyrrhachium, dhe përfshijnë artefakte nga periudhat helenistike, romake dhe bizantine.
Eksponatet më të njohura përfshijnë stele romake funerale, sarkofagë prej guri dhe bustet e vogla të perëndeshës Venus, që dëshmojnë periudhën kur Durrësi ishte një qendër e kultit të saj./atsh/