Mësues dhe nxënës të shkollave shqipe në Greqi vizituan në fundjavë Muzeun “ Kadare”, në qytetin e Gjirokastrës.
Ata u njohën me jetën dhe aktivitetin letrar të Kadaresë ndërsa u promovua edhe udhërrëfyesi “ Gjirokastra” i përgatitur nga Qendra e Botimeve për Diasporën. Mësues dhe nxënës u shprehën se në shtetin helen përpiqen të mbajnë gjallë gjuhën, traditat.dhe vlerat kombëtare
“Kur shkoj në shkollë flas greqisht dhe kam dhe shokë shqiptarë që flasim shqip dhe kur shkoj në shtëpi flasim sërish shqip”- thotë një nxënëse
“Mësoj shqip këtu e gjashtë vite dhe bashkë me mësuesin dhe me shokët e klasës lexojmë libra të shkollës shqipe, të kursit dhe jashtëshkollorë dhe përpiqemi me nivelin tonë të shkojmë sa më parë me shqipen se unë personalisht dua ta mbroj gjuhën shqipe”- shton një tjetër.
Mësuesit që shoqëruan nxënësit në këtë vizitë të veçantë për to, shprehen se është me rëndësi të ruhen traditat dhe gjuha.
“Ne përpiqemi të mbledhim sa më shumë fëmijë nuk është diçka që e bëjmë të detyruar e bëjmë sepse e ndjejmë, jemi të gjithë të përgatitur në universitetet e Shqipërisë, mësues të diplomuar kemi mësues më të shumtët janë mësues të gjuhës dhe letërsisë ka edhe të tjerë që nuk janë të kësaj dege por përpiqemi që në çdo vend që mundemi të kemi mësues, rëndësi ka që ata sadopak t’ju flasin fëmijëve në gjuhën shqipe është shumë e rëndësishme për ne që të ruajmë traditat, kulturën, është shumë e rëndësishme të ruajmë pasurinë më të madhe të një kombi që është gjuha”- u shpreh një mësuese.
“Qendra e Botimeve për Diasporën ka në mision mbështetjen e mësimdhënies në diasporë. Nisur nga kjo përveç botimeve të shumta që ne bëjmë , teksteve shkollore që dërgojmë dhe botimeve dygjuhëshe, një prej të cilave promovuam sot që ishte “Gjirokastra” mbështesim dhe aktivitete të ndryshme seminare, trajnime dhe për herë të parë kemi ngritur shkollën verore të nxënësve të diasporës” – tha Mimoza Hysa, drejtore e qendrës së botimeve për Diasporën.
Muzeu “ Kadare” krahas mikpritjes së vizitorëve shërben edhe si qendër për organizimit e aktiviteteve kulturore, të cilat gjatë kësaj vere kanë qenë të shumta në Gjirokastër.