Ndalohet për 48 orë drejtori i Visametric, është shtetas turk

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është ndaluar për 48 orë drejtori i VisaMetric, S.O në kuadër të veprimeve hetimore lidhur me rastin “Visametric”.

Ai dyshohet për veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në kuadër të ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me rastin “Visametric”, Prokurorja e Shtetit, sot pas marrjes së deklaratës nga i pandehuri S.O., (shtetas turk), drejtor i këtij subjekti, me aktvendim mbi ndalim e ka ndaluar të njëjtin në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Gjithashtu, ju njoftojmë se brenda afatit ligjor, prokurorja e çështjes, ndaj të njëjtit do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore, derisa iu bëjmë të ditur se lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar hetimet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Gjykata Komerciale ia ka ndaluar kompanisë “VisaMetric” marrjen e pagesës prej 30 euro, si tarifë për kthim të pasaportave, kur qytetarët aplikojnë për vizë në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë. Kjo kompani i obligonte qytetarët për këtë pagesë, përmes një “deklarate detyruese” që ata duhej ta nënshkruanin me rastin e aplikimit. Edhe pse kjo deklaratë ishte hequr me vendim të Inspektoratit të Tregut, kompania kishte vazhduar t’i kushtëzojë qytetarët që të jepnin 30 eurot e postës si avans, për ta caktuar terminin.