Kur dhe ku janë takuar ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Marko Gjuriç, dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, i cili është nën sanksionet amerikane dhe i kërkuar nga agjencia ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, nuk dihet as edhe tri ditë pasi fotografia e tyre u publikua në rrjetin social X.
Gjuriq, i cili pas publikimit të fotografisë tha se “nuk turpërohet për kontaktet e tij”, nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për detajet e takimit me Radoiçiçin dhe kur është bërë fotografia.
Ish-drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është emëruar ambasador në Uashington në tetor të vitit 2020.
REL-i nuk arriti të përcaktojë në mënyrë të pavarur nëse fotografia me Radoiçiçin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në fshatin Banjskë të Kosovës, është bërë para apo gjatë funksionit diplomatik të Gjuriqit në SHBA.
Bashkimi Evropian tha se nuk i takon të komentojë për çdo takim të zyrtarëve serbë, porse “me kë takoheni ju, flet për ju”, thanë nga BE-ja.
“Sidomos nëse bëhet fjalë për të dyshuar për vepra kriminale”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, pasi u pyet nga gazetarët për këtë çështje në një konferencë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, më 11 mars, në Bruksel.