Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara ka thënë se mbetje që supozohet se janë njerëzore janë gjetur brenda copëza të nëndetëses “Titan”, e cila qe zhdukur para disa ditëve në Oqeanin Atlantik.
Copëzat e nëndetëses u shkarkuan në St. John të Kanadasë të mërkurën. Zyrtarët thonë se korniza e nëndetëses për lëshim në shtratin e detit dhe një mbulesë e pasme janë gjetur në mesin e mbetjeve, raporton televizioni BBC.
Profesionistët mjekësorë amerikanë do të kryejnë një analizë formale të mbetjeve të supozuara, thuhet në një deklaratë të Rojës Bregdetare.
Agjencia është në fazat e hershme të një hetimi për shkaktarët e fatkeqësisë. Bordi Marinar i Hetimeve i Rojës Bregdetare do t’i dërgojë dëshmitë në një port të ShBA-së për analiza dhe testime të mëtejme.
Udhëheqësi i këtij organi, Jason Neubauer, tha në një deklaratë se kishte “ende sasi thelbësore të punës për t’u bërë për t’i kuptuar faktorët që çuan te humbja katastrofale e “Titan”-it dhe për të ndihmuar që të garantohet që ndonjë tragjedi e ngjashme të mos ndodhë më”.
“Unë jam mirënjohës për përkrahjen e bashkërenduar ndërkombëtare dhe mes agjencive për ta nxjerrë dhe ruajtur këtë dëshmi jetike në largësi dhe thellësi ekstreme larg bregdetit”- shtoi ai.
Të gjithë pesë pasagjerët e nëndetëses vdiqën më 18 qershor, pasi ajo shpërtheu rreth 90 minuta pas fillimit të zhytjes për ta parë për së afërmi anijen e famshme të Titanikut, e cila ishte fundosur në vitin 1912 në thellësi prej 3 mijë e 800 metrash në pjesën veriperëndimore të Oqeanit Atlantik.
Misioni i nxjerrjes së copëzave dhe mbetjeve u udhëhoq nga anija kanadeze “Horizon Arctic”, e cila me vete kishte një automjet të operuar nga largësia, që drejtohej nga kompania “Pelagic Research Services