Instituti për Siguri, Media dhe Arsim ka ndezur qirinj në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, në nderim të historianit e albanologut kroat, Millan Sufflay (1879-1931). Ky përkujtim u bë në përvjetorin e vdekjes së tij nga regjimi i Mbretërisë së Jugosllavisë.
Agim Rexhepi nga kjo organizatë tha se Millan Sufflay është një personalitet shumë i fuqishëm kroat, diplomat, shkencëtar, një filozof, një njeri që ka punuar shumë për interesat nacionale.
Ai theksoi se Sufflay, si themelues i albanologjisë së shqiptarëve, ka punuar shumë edhe për çështjen shqiptare.
“Në atë kohë kur kombi jonë ka qenë me numër të vogël të njerëzve te shkolluar ky ka qenë doktor i shkencës dhe ka bërë shumë për ne. Ky është qëllimi dhe arsyeja pse ne e zhvillojmë sot këtë dhe e dyta është vdekja e këtij personaliteti. Sot është viti i 93-të i vdekjes së tij. Këtë personalitet e kanë vrarë serbët, e kane vrarë sepse ishte një patriot i madh dhe themelues i albanologjisë së kombit shqiptar. E veçanta e këtij aktiviteti është që të gjitha këto fotografi do t’ua dhurojmë shkollave në nivel të Kosovës”, tha ai.
Sufflay ishte dekoruar nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani me medalje presidenciale dhe në Shqipëri me çmimin “Naim Frashëri”.