“Në Prizren nesër dhe përgjithmonë”, “S’ka dorëzim”, “Kosovën do ta tradhtojnë vetëm frikacakët”, djathtistët serbë protestojnë kundër dialogut me Prishtinën para zyrës së Vuçiç

Partitë opozitare të krahut të djathtë dhe lëvizjet djathtiste organizuan protestë më 16 dhjetor para ndërtesës së Presidencës serbe në Beograd. Protestuesit kërkuan nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, “të ndryshojë politikën” e Serbisë ndaj Kosovës dhe të pezullojë negociatat që zhvillohen në Bruksel.

Protesta u organizua në kohën e rritjes së tensioneve mes dy shteteve, pasi më 10 dhjetor, disa serbë lokalë vendosën barrikada në veri të Kosovë, në shenjë kundërshtimi me arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantic.

Panticit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, pasi dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Organizatorët e protestës bënë thirrje për dhënien fund të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011.

Lideri i lëvizjes opozitare të krahut të djathtë, Dveri, Boshko Obradovic, para protestuesve tha se çështja e Kosovës duhet të kthehet sërish në Kombet e Bashkuar dhe Këshillin e Sigurimit.

“Prandaj duhet t’i dërgohet një letër presidentit të Rusisë, presidentit të Kinës dhe të gjitha shteteve në botë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, tha Obradovic.

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së janë pesë shtete që janë anëtare të përhershme, përfshirë Rusinë dhe Kinën, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Obradovic po ashtu kërkoi anulimin e Marrëveshjes së Brukselit, të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia më 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Një prej folësve në protestë ishte edhe Mlladen Obradovic, lideri i organizatës së ndaluar klerofashiste, Obraz.

Gjatë adresimit para protestuesve, ai tha se “e vetmja zgjidhje për çështjen e Kosovës është që serbët të bashkohen, me guxim e me vendosmëri të thonë ‘s’ka dorëzim’, asnjë ndarje dhe asnjë shkëputje të ndonjë pjese të Serbisë, në asnjë mënyrë”.

Protestuesit u panë duke mbajtur në duar pankarta me mesazhe të ndryshme sikurse “Në Prizren nesër dhe përgjithmonë”, “S’ka dorëzim” dhe “Kosovën do ta tradhtojnë vetëm frikacakët”.

Pas fjalimeve të organizatorëve, protestuesit marshuan nëpër rrugët në qendër të Beogradit drejt Ambasadës ruse, para së cilës, ata brohoritën “serbët dhe rusët, vëllezër përgjithmonë”.

Protesta përfundoi para Kishës së Shën Savës, pa ndonjë incident. Për sigurinë në protestë u përkujdesën një numër i vogël i zyrtarëve policorë serbë.