Albert Vataj
Më 4 shtator 2016 Nënë Tereza u shpall shenjtore. 7 vjet pas kësaj ngjarjeje, bota vijon të pyesë: “E kush është kjo grua?”…. Kësaj pyetje po përpiqemi t’i japin përgjigje në tre vjetorin e shenjtërimit të Gruas më të përvuajtur, e njëkohësisht, më të famshme të gjakut shqiptar që, kur t’i ngulte sytë, të shikonte në shpirt.
“E kush ishte kjo grua?”….”Kush vallë e ndezi në zemrën e saj shkëndijën e dashurisë për të varfërit, për të fundmit, për fëmijët e braktisur, për njerëzit, që nuk i do askush?” – pati pyetur e vijon të pyesë bota. Kush ishte kjo grua, që mund të shihej duke kaluar ndërmjet të mjeruarve të braktisur, buzë gropave të hapura të gjirizeve, që i has kudo në lagjet e varfra rreth Kalkutës. Sillej si engjëll i vërtetë në gjirin e mjerimit më të zi.
Një herë, në “Shtëpinë e Zemrës së Papërlyer të Zojës”, në Kalkutë, sollën një burrë kockë e lëkurë, që i ngjiste një krijese sajuar me pergamenë. Ishte mbeturinë njerëzore, mumje që merrte frymë ende, ndonëse në sytë e tij jeta qe shuar qëkur.
Po ishte ende gjallë.
Krimbat lëviznin mbi lëkurën e tij gjysëm të ngrënë, për të depërtuar, më pas, në brendësi. Gratë e palodhshme me sari bardh e blu mundoheshin t’ia njomnin buzët e thara me lëng mishi të ngrohtë: po burri nuk ishte më në gjendje të kapërdinte asnjë lloj ushqimi, sepse i qe tharë plotësisht goja. Ndërsa motrat ia lajnë trupin e zhigatur me baltë e jashtëqitje, aty afrohet një grua në moshë, me një buzëqeshje plot dashuri e respekt, që burri nuk e kishte provuar kurrë në jetën e tij.
Është Nënë Tereza, e dërguara e Mëshirës hyjnore.
Nis t’ia heqë krimbat nga plagët, që lëshojnë një duhmë të padurueshme. Një tjetre do t’i kishte rënë të fikët. Por jo asaj. Burri skeletik mrekullohet e pyet me një fije zëri: “Si mund ta durosh erën e qelbur, që del nga trupi im?”.
“Çka ndjej unë, nuk është asgjë, në krahasim me atë, që vuan ti!”.
“Ti sigurisht nuk je prej këtyre anëve. Njerëzit e këtushëm nuk e bëjnë, këtë, që po bën ti. Bekuar qofsh!”.
“Jo, i bekuar je ti, sepse vuan me Jezusin e si Jezusi”.
Këto, fjalët e fundit që dëgjon burri i ngrënë nga krimbat. Ky bekim e shoqëron në qiell, në krahët e Jezusit, ndërsa buzëqeshja e Zojës së Bekuar i zë vendin buzagazit të Shenjtes së Mëshirës Hyjnore.
Ajo nganjëherë i shkëpuste sytë nga mjerimi e shikonte indiferencën e njerëzve të ngopur e, megjithatë, të palumtur, të galdimtarëve të pakënaqur, të të pasurve krejt të varfër, pa pikën e ndjenjave njerëzore. E nga buzët, që kishin puthur vetë mjerimin, i dilte qortimi i natyrshëm: “Duhet të marrë fund kjo indiferencë: në botë po zhduket dashuria…e kjo është varfëria më e rrezikshme, sepse i vret njerëzit në shpirt, ua rrëmben gëzimin e të jetuarit. Kemi nevojë kudo për njerëz, që shpërvjelin mëngët e nuk kanë frikë t’i ndotin duart me baltë, që përkulen mbi të varfërit, mbi njerëzit në grahma të vdekjes, mbi ferishtet e flakura në kazanet e plehrave, parë si hedhurina nga bota e pasur, e ngopur, por gjithnjë e pakënaqur.
Dil nga vetvetja, kalo në anën e dashurisë! Eja, të presim, për të të bërë të lumtur. Sepse s’ka ndodhur kurrë në këtë botë që egoisti të jetë i lum. Të siguroj për këtë!
Kjo ftesë e Nënë Terezës e ruan tërë forcën e saj e, sidomos, tërë aktualietin dramatik.
Mos ta lëmë të shkojë kot!