Një grup shoqatash fetare myslimane kanë paralajmëruar një protestë për të kundërshtuar takimin e nënkryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Taulant Bica, me Presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, gjatë vizitës që ky i fundit zhvilloi në vendin tonë më 12 shtator.
“Në Palestinë po kryhet gjenocid. Nënkryetari i Komunitetit Mysliman dhe kryeministri i Shqipërisë presin dhe mbështesin presidentin e shtetit gjenocidal”, shkruhet në njoftimin e postuar në llogarinë në Facebook të shoqatës “Mexhlis”.
Protesta është njoftuar se do të zhvillohet të premten, më 20 shtator, në orën 16:30, në bulevardin “Xhorxh Bush”, në rrugën këmbësore midis Komunitetit Mysliman dhe Parlamentit të Shqipërisë.
Sipas njoftimit, organizatorë janë disa shoqata, si “Mexhlis”, “TUMED”, “Thirrja në Mirësi”, “Qendra për Kulturën Islame Evropiane” dhe “Ensar”.
“Ju bëjmë thirrje të merrni pjesë në një tubim për të dënuar gjenocidin, shtrëngimin e dorës me kryetarin e shtetit gjenocidal, si dhe në mbështetje të paqes dhe lirisë së popullit palestinez. Tubimi do të jetë konform ligjit dhe për të është bërë njoftimi i nevojshëm pranë organeve kompetente”, thuhet në njoftim.