Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vizitoi të enjten Piramidën në Tiranë, ku zhvilloi një takim frymëzues me rreth 100 të rinj shqiptarë që kanë përfituar nga iniciativat amerikane për kulturën.
Gjatë adresimit të tij, Blinken përmendi disa nga figurat më emblematike të komunitetit shqiptar në botë, duke u ndalur tek sukseset e artistëve si Dua Lipa dhe shkencëtares Mira Murati, si dhe tek arritjet e bizneseve shqiptare që kanë gjetur rrugën e suksesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me një përkulje ndaj historisë dhe një vlerësim të sinqertë për miqësinë shqiptaro-amerikane, Blinken theksoi rëndësinë e këtyre programeve dhe kontributin e tyre në forcimin e marrëdhënieve mes dy popujve.
Gjatë fjalës së tij, ai nuk harroi të falënderojë figurat kyçe që kanë bërë të mundur këtë partneritet, përfshirë ambasadorin Wisner dhe veçanërisht kryeministrin shqiptar Edi Rama, të cilin e përshëndeti për energjinë që ka sjellë në rolin e tij si kryebashkiak i Tiranës.
Blinken falënderoi të pranishmit për ngrohtësinë që e kishte ndjerë që nga momenti i mbërritjes së tij në kryeqytetin shqiptar, duke shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e qëndrueshme nga ana e kryeministrit Rama edhe në momentet më të vështira.
“Mirëdita të gjithë dhe ju falënderoj për një mirëpritje të mrekullueshme në vendin e shqiponjave. E ndjej ngrohtësinë këtu dhe në çdo vend tjetër në Tiranë. Nuk mund të shpjegoj sa mirënjohës jam. Që të jem sot me ju për të festuar arritje e këtyre programeve është i rëndësishme për të forcuar marrëdhëniet mes vendeve. Falënderoj Wisnerin dhe sidomos kryeministrin Rama, jam i lumtur që jam sot me ju në një qytet ku ju si ish-kryetar bashkie e keni energjizuar. Jam mirënjohëses dhe për partneritetin që kemi. Këto tre vitet e fundit që kemi punuar bashkë, çdo vështirësi që kemi pasur, kryeministri ka qenë pranë nesh. Kanë thënë njerëz se kjo ndërtesë tregon rrugën e Shqipërisë që nga fundi i luftë së ftohtë”, tha ai.
Takimi u pasqyrua si një moment i rëndësishëm në vazhdimin e shkëmbimeve kulturore dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, gjithënjë me synimin e ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për të rinjtë dhe për marrëdhëniet ndër-shtetërore.