Në Maqedoninë e Veriut filluan zyrtarisht punimet në terren për korridorin 8 dhe atë 10D.
Zyrtarët e lartë shtetërore inspektuan punimet dhe siguruan se pas pesë vitesh qytetarët do të shohin përfitimet e një autostrade lidhëse që do të sjellë përfitime ekonomike.
“Fillojmë me hulumtimet gjeomekanike të përbërjes së tokës, njëkohësisht fillojmë edhe me eksproprijimin, njëkohësisht fillojmë edhe me projektimin dhe me mobilizimin e të gjitha kompanive për ndërtimin e autostradës. Të gjithë qytetarët e RMV-së do të kenë mundësinë që nga 1 janar 2028 të udhëtojnë në Korridorin 8”, thotë Ejup Rrustemi, drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.
Zëvendëskryeministri dhe koordinatori për ndërtimin e autostradave, Artan Grubi tregoi detaje nga projekti.
“Tani ku jemi do të ndërtohet një rrugë anësore në autostradë. Autostrada ekzistuese Gostivar-Tetovë do të rrënohet dhe do të ndërtohet autostrada e re me tri korsi në një drejtim dhe po aq në drejtimin tjetër. Do të ketë një rrugë anësore për të lidhur fshatrat, do të ketë mbikalime, do të ketë nënkalime”, tregon Artan Grubi, zv/kryeministër i RMV-së.
Projekti kushton 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.
Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit ndërsa opozita maqedonase ka dyshime për korrupsion.
Me korridorin 8 do bëhet lidhja me portin e Durrësit dhe me korridorin 10D me portin e Burgasit të Bullgarisë. Deri më tani Maqedoninë e Veriut ka pat\sur qasje vetëm në portin e Selanikut.
Ky projekt pritet të hapë 8 mijë vende të reja pune, investime të reja prej 1.3 miliardë eurosh dhe rritje nominale të Prodhimit Vendor Bruto prej 2% në vit në pesë vitet e ardhshme.