Nis votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës
52 min. më parëKQZ: 21% e votuesve në diasporë votuan deri në orën 11:00
3 o. më parëNis votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës
Ka nisur votimi nëpër qendrat e votimit në përfaqësitë diplomatike në shtetet evropiane, ndërsa votimi në përfaqësitë diplomatike në SHBA dhe Kanada do të fillojë më vonë, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në përgjithësi, votimi do të zhvillohet në 43 vendvotime që u përkasin 16 ambasadave dhe 14 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme.
Numri i përgjithshëm i shtetasve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është 20,324 votues.
Përfaqësitë diplomatike në të cilat ka filluar procesi i votimit në orën 07:00 janë: Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankurt – konsullatë; Duseldorf – konsullatë; Munih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Hamburg – konsullatë); Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); Mbretëri e Bashkuar (Londër – ambasadë); Belgjikë (Bruksel – ambasadë); Austri (Vjenë – ambasadë); Francë (Paris – ambasadë; Strasbourg – konsullatë); Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); Turqi (Stamboll – konsullatë); Norvegji (Oslo – ambasadë); Slloveni (Lubjanë – ambasadë); Suedi (Stokholm – ambasadë); Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); Kroaci (Zagreb – ambasadë); Holandë (Hagë – ambasadë); Çeki (Pragë – ambasadë); Hungari (Budapest – ambasadë); dhe Maqedoni e Veriut (Shkup – ambasadë).
Ndërsa, procesi i votimit në SHBA (Washington – ambasadë; New York – konsullatë) dhe në Kanada (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë) do të fillojë në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë.
Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, e ka quajtur këtë “ditë historike” ndërsa ka publikuar fotografi ku shihen radhë njerëzish nëpër përfaqësitë diplomatike e konsullore në disa qytete gjermane dhe në Danimarkë.
KQZ: 21% e votuesve në diasporë votuan deri në orën 11:00
52 min. më parë / 8 shk 2025 12:01
Deri në orën 11:00 kanë votuar 4.390 persona apo 21.60 për qind e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në mërgatë, për zgjedhjet parlamentare.
Për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës janë regjistruar 20.324 votues.
Më shumë votues janë paraqitur në Ambasadën e Kosovës në Bern të Zvicrës, ku 37.44 për qind e 967 votuesve të regjistruar në dy vendvotime në këtë ambasadë kanë votuar brenda këtyre katër orëve.
Ndërkaq, dalja më e ulët deri në orën 11:00 është regjistruar në Ambasadën e Kosovës në Shkup, ku nga 55 votues të regjistruar kanë votuar vetëm 6 prej tyre apo 10.91 për qind.
Votimi nisi në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në shtetet e Evropës, ndërkaq në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada do të nisë në orën 13:00, sipas kohës lokale në Kosovë.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.