INES SULAJ
Figura e Ndre Mjedës është një nga figurat më tërheqëse në mbarë historinë e letërsisë shqipe. Mjeda ishte novator në poezinë shqipe. Ai solli polimetrinë, kombinimin e vargjeve teke me çifte, kombinimi i vargjeve 10 rrokshe me vargje 5 rrokshe. Mërgimi, malli dhe brenga për atdheun, si dhe e kaluara e lavdishme e tij, , si dhe e kaluara e lavdishme e atdheut janë temat, të cilat mbizotëruan në poezinë e Mjedës. Edhe pse i ri ai ishte i gatshëm të shkruante poezi malli, edhe poezi atdhetare edhe poema historiko-mitologjike, falë talentit të shquar, por edhe përgatitjes së tij shumë të mirë gjuhësore e stilistike dhe përgatitjes intelektuale.
Që në arsimimet e para në fshatrat e katundit është gjetur një vjershë e cila tregonte për talentin e Ndre Mjedës, një ndër hartimet letrare më origjinale të hershme të tij.
Në vjeshtë të vitit 1883 Ndre Mjeda shkroi poezitë e para origjinale, përktheu e filloi të përshtaste nga poetë të huaj romantikë. Mjeda përzgjodhi për të shqipëruar poezitë europiane ndër më të njohurat e kohës, por këtë e bëri përmes personalitetit të tij artistik. Në 1884 ai filloi të përshtaste poezi si Fratricide e poetit Giusseppe Vllavrasi i Toskënisë, dhe Vaji i Dallëndyshes të cilën e përshtati nga Tomaseo Grossi. [1]Poezia Vllavrasi i Toskënisë u hartua në kushte të një depresioni të brendshëm shpirtëror të Mjedës, natyra e poezisë ishte shqiptare, fabula shqiptare por edhe problemi ishte tipik shqiptar. Kjo poezi u bë popullore në Shqipëri dhe u përfshi ne Ahengun Shkodran duke u kënduar në dasma e koncerte. Gjithashtu me anë të kësaj poezie Mjeda frymëzoi piktorin Kol Idromeno për të krijuar një ndër veprat më interesante me titullin Gjakmarrja. [2]
Pasi mësoi nga traditat e vlerat folklorike të popullit, nga gjuha e gjallë e tij Mjeda shkroi poezi të tilla si : ”Mikut tem Pal Morettit”, ”Mall për atdhe”, “Vaji i Bylbylit”, ”Gjuha shqype”. Që në moshën 20 vjeçare krijoi poezinë ”Vaji i Bylbylit” e cila u bë një nga veprat më të shquara të kohës dhe të letërsisë sonë të traditës. Kjo poezi nuk do ishte vetëm një nismë e mbarë për fillimet e tij poetike, por do të mbetej përcaktuese e rrugës që ai do të ndiqte deri në fund të këtij rrugëtimi në fushën e krijimtarisë letrare. Kjo poezi u bë antologjike hyri në tekstet shkollore e u përkthye në shumë gjuhë të botës. Ndre Mjeda e ndjente gjuhën si element kryesor tregues të kombësisë. Njohës me rrënjë të gjuhëve të shumta, ai e vlerësoi gjuhën shqipe që tanave jau del, si një dritë pa hije .Poezia Gjuha Shqipe , refleksion i vuajtjeve që kishte poeti për gjuhën e tij ,e cila ishte aq e bukur dhe e fisme por s’trajtohej e tillë nga rrethet studimore të kohës.. Në fund të vitit 1888 krijoi një tufë me poezi brilante si ”Malli për atdhe”, ”Shtegtari”, ”Po shkon me bujt te Zoja”, ”Varri i Skonderbegut”. [3] Mjeda shkruante poezi kur kishte problem me veten, kur e mbulonte gjendja e pashpresë atëhere kur e kaplonte pesimizmi. Poezitë e tij largoheshin nga ngjyrimet politike dhe i përqaseshin trajtave letrare, të cilat synonin botën e brendshme të njeriut. Ndre Mjeda krijoi jo vetëm ”Juvenilia” e mirënjohur, por edhe poemat ”Lissus”, “Scodra” e ”Liria” dhe ato do të jenë jo vetëm një “histori e popullit” por do të jenë dhe një histori e shpirtit të tij , dhe sidomos histori e filozofisë dhe e gjuhës së tij. [4]
Ndërsa Mjeda hartonte poezinë ”Scodra” ai luante me mitologjinë, duke krijuar figura që vetëm një ëndërrimtar mund t’i fantazonte. Poema ”Lirija” është një nga kryeveprat e poezisë shqipe, e cila është prova e parë e Mjedës për t’i kthyer lirikat e tij në një stil klasik, një stil të përsosur, që ishte niveli më i lartë i të shprehurit poetik. Në 1902 me rastin e përfshirjes së Mjedës në çështjen e Iballës për hapjen e një shkolle të parë shqipe në Alpet e Veriut si dhe për ato të bashkimit të shqiptarëve në kryengritjen antiosmane, ai hartoi poezinë “Bashkoju”. Ideja themelore e poezisë përbente thirrjen spontane të brendshme, por të përjetshme të Mjedës drejtuar popullit shqiptar për të qenë i bashkuar.
Më 20 nëntor 1908 pas përfundimit të Kongresit të Manastirit, Mjeda hartoi më një frymë tringellimin “Andrre”, e cila u përkthye në anglisht, italisht, rusisht, rumanisht etj. Në të njëjtin ditë e çast ka hartuar dhe poeti tjetër i njohur, Gjergj Fishta, sonetin me titull “Tingllim”. Ishte një shpërthim poetik i mrekullueshëm i dy poetëve të mëdhenj në çastin solemn të shpalljes së vendimit të alfabetit, që në fakt ishte shpallja e pajtimit kombëtar. Mjeda shkruante poezi kur ishte i frymëzuar, kur donte të çlironte vetveten nga përjetime të tensionuara. Poezia për Mjedën ishte mbi të gjitha “mënyra e jetës, e jetës integrale”. Poezia për Mjedën ishte një dhunti hyjnore, Mjeda e shihte poezinë si një produkt të natyrshëm të qenies dhe vetëdijes së tij.
ALBANOLOGU
Kontributi i Mjedës, përveç në fushën e poezisë është mjaft i vlefshëm dhe i vyer edhe në fushën e Albanologjisë. Që në moshë të re ,kur ai ishte student në seminaret jezuite, ai studio shkrimtarët e vjetër si Buzukun, Budin dhe Bogdanin si dhe alfabetet e tyre. Gjuha e të cilëve sipas Mjedës mund të shërbente për një afrim të mundshëm në mes të 2 kryedialekteve të shqipes, qoftë edhe pasurimin e gjuhës shqipe. Ai mblodhi thuajse gjithë gramatikat shqipe si dhe krijoi një bibliotekë albanologjike rreth 80 libra, punë që s’e kishte bërë asnjë tjetër. Që në fillim të viteve 1886-1887 Mjeda filloi punët me alfabetin e gjuhës shqipe. Atij i bënte përshtypje se alfabeti, i cili përdorej në librat shqip kishte karakter italianizant dhe nuk shprehte natyrën e tingujve të gjuhës shqipe. Që në fillimet puna e tij me alfabetin shqip u karakterizua nga një rigorozitet shkencor, ç’ka ishte në natyrën e Mjedës. Duke ruajtur parimin bazë, Mjeda mënjanoi shkronjat jolatine, si dhe u përpoq të minimizojë fenomenin e diagramave që vërehej ne Katekizmin e Kristoforidhit duke zëvendësuar më shkronja diakritike. [5]
Gjatë studimeve në Krakow (1891-1892) ai u përfshi në rrethin e gjerë të studimeve albanologjike kryesisht studime historike, folklorike, gjuhësore e etnografike. Në 1891-1896 Mjeda hartoi një vepër të rëndësishme siç ishte Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe .Ndre Mjeda falë një formimi shkencor të plotë, pati largpamësinë që duke u mbështetur në konceptet filologjike më të përparuara të kohës, të përqafonte teorinë e prejardhjes ilire të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe. Natyra dhe prejardhja e gjuhës shqipe përbënte një nga preokupimet kryesore të Mjedës. Që në 1892 Mjeda filloi të thurte plane për hartimin e një vepre gramatikore krahasuese të shqipes, sepse kjo lidhej me planet e tij për t’u kthyer në atdhe e për të ndërtuar një shkollë shqipe të mesme mbi baza shkencore, kjo u realizua vetëm në vitin 1900.
Në periudhën që ai studioi në Krakow, ai pati letërkëmbim të dendur me albanologun austriak Gustav Meyer si dhe albanolog të tjerë të huaj. Angazhimi i Meyer do luante rol të dukshëm në mbrojtjen e planeve e guximshme të Mjedës për ortografinë e re të shqipes. Ndre Mjeda së bashku me Meyer u përpoqën të zbulonin lidhjen mes gjuhës shqipe, ilirishtes dhe mesapishtes. Në vitin 1896-1897 Gustav Meyer së bashku me ndihmësin e tij Ndre Mjedën boton ”Studime Shqiptare V” dhe “VI”. ”Studime Shqiptare VI” u botua në 30 shtator 1897 në Vjenë dhe ishte e përbërë nga tekste shqiptare të ndara në dy pjesë , ku pjesa e parë ishte me tekste gegërisht, të cilat ishin punë e Ndre Mjedës dhe pjesa e dytë me tekste toskërisht[6]. Në 1898 Mjeda mori statusin e shkrimtarit dhe historianit zyrtar në Krakovë, Poloni.
Në vitin 1900 ai hartoi një gramatikë krahasuese të gjuhës shqipe, ku binte në sy prirja e Mjedës për të përdorur metoda krahasuese.[7] Në kohën që Mjeda ishte duke hartuar gramatikën e krahasuar të gjuhës shqipe, ai zotëronte shumë mirë italisht, latinisht, greqisht e vjetër, frëngjisht, spanjisht, portugalisht, polonisht, serbokroatisht dhe gjermanisht. Ai përpiqej të studionte pasurinë leksikore, fenomenet dialektologjike morfologjike, fonetike, si kanë ndryshuar me kohë dhe krahina të ndryshme.
Një ndër meritat më të shquara të tij, është se në kushtet e pushtimit Osman, themeloi dhe drejtoi shoqërinë gjuhësore ”Agimi”. Albanologu Mjeda ishte personi më aktiv i saj, i cili punoi me këmbëngulje për alfabetin e gjuhës shqipe me shenja diakritike si dhe për hartimin e teksteve shkollore. Gjatë periudhës së veprimtarisë së shoqërisë (1901-1909) u hartuan rreth 30 tekste shkollore me alfabetin e shoqërisë “Agimi”. Tekstet shkollore ”Agimi” patën një përdorim të gjerë dhe disa prej tyre u ribotuan katër herë duke u përdorur deri ne vitin 1930. Në vitin 1934 u botua Vrejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe kjo vepër e rendit Mjedën ndër të parët studiues shqiptarë që ka trajtuar problemin e ndërlikuar të origjinës së përemrave pronor.
Mjeda ishte i pari albanolog shqiptar që mori pjesë Kongresin e XIII Ndërkombëtar të Orientalistëve ne Hamburg në 10 shtator 1902 . Tema që mbajti në këtë Kongres, e cila u referua nga Mjeda në gjuhën latine ishte “Shqyrtimi i qellzoreve në dialekte të ndryshme të Shqipërisë”. [8]Në këtë Kongres Mjeda u njoh dhe u përkrah nga shumë personalitete shkencore të kohës nga mbarë bota siç ishin, Holger Pedersen (filolog danez), Maurice Bloomfield (filolog amerikan), Karl Patsch (historian austriak) etj. Pas mbarimit të këtij kongresi ,Mjeda hartoi një vepër kushtuar alfabetit shqip me titullin ”Promemoria”, e cila është një analizë për punën e Mjedës për modifikimin dhe popullarizimin e alfabetit të tij me shenja diakritike. Alfabeti i hartuar prej Mjedës me disa ndryshime, kishte fituar miratimin e dijetarëve më të mëdhenj të Europës, pothuaj pjesës më të madhe të ipeshkvijve shqiptarë si dhe administratës austriake. [9]
Në 1904 pas zgjidhjes përfundimtare të problemit të alfabetit Mjeda hartoi Abetaren, “Arithmetiken”, “Katekizmi”, “Këndime për shkolla të para të Shqypniesë”, “Numeratore për shkolla të para të Shqypniesë”, “Të mbledhunit e mbësimeve të krishtena për shkolla të para të Shqypniesë”, “Drejtues i drejtshkrimit”, “Histori e Shejtë”. [10] Këto libra u botuan në Vjenë dhe u ndanë në katër konsullata, Shkodër, Prizren, Shkup dhe Durrës. ”Abetarja Shqipe” e Mjedës u përdor rreth tre dekada në shkollat shqipe, sidomos në veri dhe u shfrytëzua nga shume autorë hartues abetaresh.[11]
Abetarja e Mjedës është ndër të parat abetare shqipe që u transkriptua sipas alfabetit latin të Kongresit të Manastirit, nga vetë autori Ndre Mjeda në 1910. Veprimtaria e Mjedës në Kongresin e Manastirit përbën fazën më kulmore e më të shquar ,në mes të punës së tij shumëvjecare për alfabetin shqip. Mjeda sakrifikoi punën e tij 20 vjeçare për hir të interesit të kombit dhe pranoi alfabetin e Stambollit.
Pas hartimit në mënyrë të suksesshme të librave për arsimin fillor, Mjeda në shkurt 1909 hartoi dy libra të tjerë, ”Historia dhe Gjeografia” për shkollën qytetare të cilat në përmbajtjen e tyre historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë.
POLITIKANI
Gjatë viteve 1912-1915, Mjeda u angazhua kryesisht me politikën kombëtare, ndërkohë që e kishte “thyer” pendën poetike. Pas 1912-ës kishin ardhur kohë vendimtare për fatet e Shqipërisë, prandaj Mjeda vendosi të sakrifikojë punët dhe planet e vjetra: ai iu kushtua plotësisht politikës kombëtare. Mjeda mori pjesë aktive në jetën parlamentare 1921-1924 duke u radhitur në opozitën shqiptare, ku u shqua për opsionet, për përgatitjen e gjithanshme, për hartimin e ligjeve, për drejtimin me kompetencë të komisioneve parlamentare, si dhe për debatet në seancat plenare.
Mjeda u zgjodh si deputet i Shkodrës që në krijimin e Parlamentit të parë shqiptarë në vitin 1921. Që në fillimet e parlamentit, Mjeda u zgjodh si anëtar i komisionit parlamentar të bujqësisë, ku u dallua për kontributin e tij. Ai qe mjaft aktiv në debatet për bujqësinë shqiptare dhe për ndihmesën që dha për hartimin e projektligjit mbi favorizimin e bujqësisë shqiptare. Mjeda interesohej për Zadrimën, fshatrat në zonën e Luginës së Drinit, Barbullushin në periudhën që ishte deputet në Tiranë, për të zgjidhur ankesat dhe problemet e fshatarëve. Më 20.07.1921, Mjeda votoi kundër projektit të qeverisë së Xhafer Ypit për futjen e duhanit të huaj në Shqipëri, me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendas. [12]Angazhimet e Mjedës në bujqësi lidheshin ngushtë me aspiratat e tij atdhetare e demokratike. Ai ishte i pari që solli veglat bujqësore për fshatrat e Zadrimës dhe shpenzoi një pjesë të mirë të kohës për tu marr me bujqësi. Mjeda synonte përmirësimin e jetës së popullit , kryesisht përmes punës së vetë njerëzve.
Pas drejtimit të komisionit bujqësor, Dom Ndre Mjeda së bashku më Mustafa Krujën u caktuan në Komisionin Parlamentar të Drejtësisë. Mjeda pati një veprimtari të gjerë në këtë komision parlamentar kryesisht për hartime projektligjesh. Mjeda u përfshi dhe në çështjen e Mirditës, në 03.07.1921 Mjeda dhe deputetët e Shkodrës, i drejtohen Kryeministrit, Iliaz Vrioni ku përshkruanin gjendjen e vërtetë të Mirditës, duke treguar rrugët e zgjidhjes së çështjes së Mirditës.[13] Ai ishte krejtësisht i angazhuar në drejtim të ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit kombëtar. Në 11 tetor të këtij viti u krijua me iniciativën e Avni Rustemit ”Bashkimi i Shenjtë” që përbëhej nga 40 deputetë ku morën pjesë dhe Ndre Mjeda, Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi të cilët punuan për krijimin e një qeverie të aftë për të përballuar situatën e rëndë të krijuar nga ndërhyrjet jugosllave.[14] Bashkimi i Shenjtë u shpërbë dhe filloi lufta mes dy partive politike të dy partive të mëdha: popullores dhe asaj përparimtares ku bënte pjesë dhe politikani Ndre Mjeda. Nuk ishin të gjithë deputetët në nivelin e Mjedës që të arrinin të përcaktonin bashkëjetesën në mes të diversitetit dhe unitetit , asaj që ishte e tanishme dhe asaj që do ishte e ardhme, e vetjakes dhe përgjithshmes.
Mjeda është ndër politikanët shqiptarë ndoshta i pari që solli praktikën e lobingjeve në Shqipëri, praktikë kjo e vendeve të qytetëruara, ku lufta politike dallohej për tolerancë e civilizim. Në vitin 1923 Ndre Mjeda së bashku me Hilë Mosin përgatitën projektligjin për zbritjen e taksës për lejet e gjahut të peshkut . Mjeda ngriti zërin në seancat e parlamentit, në mbrojtje të interesave të vegjëlisë, të qytetarëve katolikë, për shtresat e varfra të popullit si dhe për arsimimin e tyre. Në 05.03.1923 Mjeda u zgjodh në Komisionin e Arsimit, Punëve Botore e Bujqësi. Mjeda u tregua ndër më vepruesit në punimet e parlamentit duke punuar njëkohësisht në 2 ose 3 komisione parlamentare.
Ndre Mjeda që kishte njohur rregullat e lojës në perëndim, këmbëngulte për hartimin e ligjeve, rregulloreve që rregullonin veprimtarinë e parlamentit. Njohës i mirë i ligjeve si dhe gjuhëve të mëdha europiane, ai kishte mundësi të shfrytëzonte përvojën e shteteve me tradita demokratike. Mjeda u caktua nga Komisioni i Drejtësisë dhe hartoi ligjin e Këshillit ligjgatitës të cilin e ndau në 4 kapituj me 25 dispozita, kapitulli 1 përmbante ”Krijimin dhe organizimin e Këshillit”, kapitulli 2 përmbante ”Sekretarinë”, kapitulli 3 përmbante ”Të drejtat dhe detyrat e Këshillit” dhe kapitulli 4 përmbante ”Dispozitat tranzitore”. [15] Ndre Mjeda hartoi rregulloren e parlamentit Rregullorja e brendshme e Parlamentit, e cila u miratua nga Parlamenti Shqiptar. Këto dispozita përcaktonin ligjin për formimin e komisionit për shqyrtimin e zgjedhjeve të deputetëve, si dhe funksionimin e tij. Mjeda kryesoi komisionin parlamentar të arsimit, ai shqyrtoi organikën e Ministrisë së Arsimit, nga pozita e tij si specialist i vjetër i kësaj fushe. Ai paraqiti në cilësinë e kryetarit të komisionit të arsimit, 3 projektligje të rëndësishme për arsimin kombëtar: ligji organik për profesorët e shkollave të mesme, ligji mbi mësuesit shëtitës dhe ligji mbi revistën pedagogjike.
Në vitin 1923 Parlamenti Shqiptar krijoi komisionin parlamentar të posaçëm, Komisionin e Arkeologjisë me në krye Ndre Mjedën. Mjeda njihej për interesimin e tij për gjetjet arkeologjike në vendin tonë, i cili i konsideronte si një nga burimet më efikase për të vërtetuar autoktoninë e shqiptarëve. Me këtë rast u angazhuan studiuesi nga Viena, Dr. Karl Patsch, Justin Godart i cili ishte shef i kërkimeve arkeologjike franceze në Shqipëri dhe Leon Rey arkeologu francez. Ndre Mjeda së bashku me ministrin e arsimit bënë përpjekje për të kufizuar zonat në të cilat ishte planifikuar për të bërë kërkime arkeologjike nga pala franceze në Durrës edhe pse qeveria franceze donte të kishte të drejtë të bënte kërkime në gjithë territorin shqiptar.
Në 12.05.1923 në parlament pasi filluan bisedimet mbi projektligjin mbi komunitetet fetare , Mjeda ngriti zërin për të drejtat e qytetarëve katolike ndërkohë që njihet për përpjekjet për të respektuar besimet e të tjerëve, për të bashkëpunuar e dialoguar me të tjerët.[16] Përpjekja e Mjedës për të biseduar me deputetët ortodoksë, flet për botëkuptimin e tij demokratik. Në 1925 Mjeda u tërhoq përfundimisht nga jeta politike ,dhe vendos ti shërbejë atdheut në një fushë tjetër në atë të gjuhësisë.
“Një çati për kulturën”, nismë për të mbrojtur trashëgiminë e Ndre Mjedës
Ndre Mjeda përveç se aktivist për çështjen kombëtare, poet, politolog albanolog, arkitekt gjuhëtar njohës i 9 gjuhëve të huaja, dhe një nga figurat kryesore të alfabetit shqip, ka qenë dhe ministër i Bujqësisë, i cili solli praktikat më të mira nga Austro-Hungaria dhe i zbatoi në bujqësi për komunitetin e tij në Zadrime.
Pas 20 vjet emigracion u kthye të japë kontributin e tij për komunitetin. Pra, ky është dhe një mesazh shumë aktual ndërkohë që zonat rurale po braktisen. Shtëpia e Mjedës ndodhet shumë afër Fishtës (Mrizi Zanave) dhe ky model kulturor bazuar në figurat e Mjedës dhe Fishtës mund të ndihmojë për promovimin e turizmit kulturor, p.sh. në krijimin e një parku letrar. Para se të kthehej në muzeun e Mjedës, vend që reflekton dhe ruan trashëgiminë mbi jetën, veprën dhe praktikën e poetit të shquar shqiptar Ndre Mjeda, Kukëli ishte banesa e tij e kahershme. Kukëli për Mjedën ishte vendi i frymëzimit të përditshëm, vend nga ku kanë buruar vepra të jashtëzakonshme në letërsinë shqiptare, e si hapësirë është e lidhur fort me identitetin tonë kombëtar. Kjo hapësirë muzeale, ka përbri një ndërtesë e cila ka nevojë për ndihmën tonë të menjëhershme për t’ia kthyer vendasve për art, kulturë dhe ekonomi të qëndrueshme. Kukëli mban me krenari traditat tona e tanimë kemi mundësinë që të gjithë të krijojmë një mjedis që artizanët vendas ta kenë një shtëpizë për të paraqitur punimet e tyre dhe për të krijuar një mundësi për shkëmbim të frytshëm. Në thelb, kjo ndërtesë që gjendet pranë kompleksit muzeal Mjeda, ka nevojë për restaurim të çatisë në mënyrë që të mos thellohet rrënimi i saj.
Bashkë me renovimin e çatisë vjen edhe një plan i rehabilitimit të ndërtesës që ruan të gjitha aspektet dhe karakteristikat arkitekturore të saj, e mbi të gjitha e bën hapësirën e jetueshme për vendasit që duan ta përdorin e që kanë kontribuar gjithë jetën e tyre në Kukël. Qëllimi ynë përfundimtar është të transformojmë kompleksin muzeal Ndre Mjeda në një park kulturor dhe letrar, një hapësirë ku studiues, shkrimtarë, poetë dhe artistë nga Shqipëria dhe e gjithë bota mund të mblidhen për seminare, konferenca dhe festivale kushtuar letërsisë, poezisë, dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare. Ndaj para nesh paraqitet një rast unik, ku secili prej nesh mund të kontribuojë në një rijetëzim e një vendi që u jep dëshirë vendasve të paraqesin punët e tyre ashtu sikurse e meritojnë, duke u dhënë jo vetëm shpresë, por edhe stabilitetet se ajo çfarë ata kanë dhënë për Kukëlin do t’u kthehet në vlerësim e mbështetje.