Pjesëtarët e njësisë speciale “grupi 13” i inteligjencës ushtarake ukrainase (GUR), pretendojnë se mbrëmë kanë shkatërruar luftanijen ruse Ivanovec.
“Operacioni është mundësuar falë përpjekjeve të Ministrisë për Transformim Digjital të Ukrainës dhe platformës United24”, është thënë në kumtesë.
United24 është një platformë që menaxhohet nga qeveria ukrainase, e themeluar në vitin 2022 për të mbledhur para për ushtrinë ukrainase.
“Anija e armikut gjendej në liqenin Donuzxlav në Krimenë e aneksuar”, është thënë nga inteligjenca ukrainase.
“Si rezultat i disa goditjeve në trup, anija ruse ka pësuar dëme të mëdha që shkaktuan fundosjen e saj”, shtuan ukrainasit.
Ata shpërndanë edhe videon dyminutëshe që shfaq momentet që tregojnë sesi ishte zhvilluar operacioni.
Në video gjithashtu shihet anija që nuk arrin ta shkatërrojë dronin lundrues që i afrohet.
Theksohet se vlera e anijes së shkatërruar kap shumën e 70 milionë dollarëve. Ukrainska Pravda raporton se operacioni i kërkim-shpëtimit nga ana e rusëve ka rezultuar pa ndonjë sukses në liqen.