Leonardi sapo nisi ditën e tij të punës. Së bashku me Besin, ai punon në një “bar-catering”. Si pjesë e stafit është edhe Marinela. Prej disa muajsh, këta të rinj me sindromën down janë punësuar me kohë të pjesshme nga një bankë e nivelit të dytë.
Puna e tyre e përditshme lidhet me pastrimin dhe sistemimin e tavolinave si dhe shërbimin në banak. Marinela është më e apasionuar pas pastrimit, megjithëse është duke mësuar edhe si të bëjë kafe në banak.
Megjithatë, “shefi i kafes” është Besi, i cili pret dhe përcjell klientët gjithmonë i buzëqeshur.
Këta janë disa nga të rinjtë e punësuar me sindromën down. Ndërmjetësimi për punësimin e tyre bëhet nga qendra Jonatan, pjesë e së cilës janë me dhjetra fëmijë dhe të rinj që trajtohen për t’u riintegruar në shoqëri. Punën e përditshme me këta individë na e tregon drejtuesja e qendrës: “Jemi një qendër që ofrojmë terapi zhvillimi dhe fizioterapi. Kemi rreth 15 vite që trajtojmë vajza dhe djem nga zero deri në 40 vjeç. Aktualisht, kemi 184 familje që përfitojnë nga shërbimet tona”.
Mbështetja më e madhe e këtyre fëmijëve dhe të rinjve janë prindërit, të cilët përtej çdo sfide që u ka ofruar jeta, po shijojnë çdo moment të rritjes dhe zhvillimit të tyre.