Një peshkaqen i bardhë fantazmë i gjetur pranë ishullit të Sazanit në Shqipëri, është shembulli i parë i leucizmit i regjistruar ndonjëherë në këtë specie.
Peshkaqeni “fantazmë” i cili u zbulua në brigjet e Shqipërisë – njihet si peshkaqen i ashpër këndor (Oxynotus centrina). Ky ekzemplar i rrallë u gjet pranë ishullit të Sazanit, një post i izoluar ushtarak, në një thellësi prej rreth 200 metra.
Peshkaqeni, u dallua për shkak të një gjendjeje të rrallë gjenetike të quajtur leucism, e cila prish prodhimin e melaninës dhe shkakton reduktim të pigmentimit.
Sipas “Livescience”, kjo shënon herën e parë që leucizmi është dokumentuar në këtë specie dhe në të gjithë familjen e peshkaqenit, Oxynotidae.
Peshkaqenët e tillë këndorë janë zakonisht me ngjyrë gri-kafe të errët ose të zi me njolla të errëta në anët e tyre për t’i ndihmuar ata të përzihen në mjedisin që i rrethon.
“Disa kërkime sugjerojnë se mungesa e pigmentimit mund t’i bëjë individët më të dukshëm si për grabitqarët ashtu edhe për gjahun, duke reduktuar potencialisht shanset e tyre për të mbijetuar,” tha fotografi Andrej Gajić, nga Sharklab ADRIA. Ky zbulim, së bashku me të dhënat e tjera të peshkaqenëve të shëndetshëm me çrregullime të pigmentit, nënkupton që këto anomali nuk kanë një ndikim të rëndësishëm negativ në aftësinë e peshkaqenëve të detit të thellë për t’u ushqyer, për të shmangur grabitqarët ose për t’u riprodhuar, shtoi ai.


