Mehdi Sejdiu
“Ne kemi tentuar një vrasje me paramendim të një kombi të tërë. U kapëm në këtë akt kriminal e u penguam. Tash na duhet ta vuajmë dënimin. Në luftërat ballkanike, Serbia nuk e dyfishoi vetëm territorin e saj, por edhe armiqtë e jashtëm”, Dimitrije Tucoviq
Si dikush që është rritur në Kosovë pas luftës, rrallë kam dëgjuar zëra nga Serbia që flasin për një marrëdhënie të barabartë me Kosovën, diskursi medial është i ngarkuar me ide që “Kosova nuk dorëzohet” që ajo është Serbi. Ndoshta më të moderuarit janë zërat kinse liberalë që flasin për pajtim pa kërkimfalje, duke relativizuar që në luftën e fundit “gjithkush ka bërë krime” dhe të gjithë duhet ta falim njëri-tjetrit, duke injoruar asimetrinë në dëme, viktima, e krimet e luftës ku disproporcionalisht viktimë e dhunës ishin shqiptarët e Kosovës. Pa dyshim që relativizimi nuk është përpjekje e sinqertë për pajtim. Por flas për pajtimin që në fund të ditës cilëson shqiptarët dhe serbët si të barabartë, si popuj që kanë të drejtën e vetëvendosjes si shtete, e që pastaj përmes tyre të zhvillojnë marrëdhënie të mirë miqësore.
Një tentativë të tillë më të sinqertë, e gjen te shkrimet e disa intelektualëve serbë në të kaluarën, që kritikonin regjimin e tyre për krimet dhe politikën ndaj popullatës shqiptare.
Figura kryesore e tyre është padyshim Dimitrije Tucoviq i cili kritikonte qasjen imperiale e kolonizuese ndaj shqiptarëve në kohën e luftërave ballkanike më 1912-1913, kur Serbia pati ekspansion ushtarak në Rashkë, Kosovë, Maqedoni edhe në Shqipëri. Në këtë shkrim do të flas kryesisht për librin e tij “Serbia dhe Shqipëria” të botuar më 1914. Ai edhe pse ishte mobilizuar si ushtar në Shqipëri, përvojat e tij se çka po ndodhte në front, e shtynë të jetë kritik kundrejt pretendimeve imperiale serbe ndaj shqiptarëve. Kështu inspiroi edhe një radhë të tërë disidentësh me parime social-demokrate.
Mendimi dekolonial i Dimitrije Tucoviqit
Për të shfajësuar pushtimin e tokave të banuara me shqiptarë, intelektualët dhe shtypi serb kishin filluar një diskurs karakteristik kolonial që paraqiste serbët si të civilizuar, e shqiptarët si barbarë e primitivë. Tucoviq sulmon këtë diskurs serb mbi shqiptarët duke e quajtur “letërsi politike të borgjezisë serbe” (fq.40), e sipas tij popujt në situatë më të favorshme historike nuk kanë të drejtë t’i deklarojnë popuj të tjerë si të prapambetur, për t’i nënshtruar. Ideja e “racës inferiore shqiptare” në diskursin serb ishte normalizuar aq shumë saqë vetë delegacioni serb në Konferencën e Parisit më 1919 kishte argumentuar që shqiptarët ishin të pacivilizuar për të pasur shtet, e që Jugosllavia duhet ta përfshijë edhe veriun e Shqipërisë për ta civilizuar. Arsyetimin “civilizues” elitat serbe e kishin kopjuar në Evropën Perëndimore që me të njëjtin arsyetim justifikonin kolonizimin e Afrikës, Amerikës e Azisë. Tucoviq e quan “rrenë të pabazuar në shkencë që po u tregohet ushtarëve qindra herë” dhe e barazon këtë periudhë të letërsisë, shkencës e politikës serbe me atë të vendeve të tjera kolonizuese.
Në kohën e Tucoviqit, fillimi i shekullit XX, procesi i shenjtërimit të Kosovës si zemra e Serbisë nuk kishte ndodhur ende. Politika ishte e fokusuar në pushtimin e Durrësit dhe daljen në Adriatik. Për Tucoviqin, pushtimi i tokave me popullsi tejet të armiqësuar ndaj Serbisë nuk do ta bënte kurrë rehat Serbinë. Ai këtu prapë tërheq paralele mes Serbisë dhe fuqive koloniale evropiane. Thotë se Serbisë do t’i kushtojë njësoj siç i ka kushtuar Francës pushtimi i Algjerisë e Gjermanisë kolonitë në Afrikën jugore. Pra do të trashëgojnë probleme edhe për gjeneratat e tjera. Në mënyrë që të sigurohej vija tregtare, ajo do të duhej të militarizohej ngaqë popullsia lokale do të rebelohej vazhdimisht, Serbia do të humbiste resurse dhe njerëz në këtë luftë të importuar. Edhe pse me Kongresin e Versajës ambiciet për Shqipërinë u shuan, parehatinë Serbia e mbajti brenda me Kosovën. Kosovën e cila, në 87 vjet ishte nën Jugosllavi, pati disa kryengritje kundër regjimit e një sistemi ku ishin provinca më e varfër dhe më e margjinalizuara.
Për përfundimin e luftës ai i falënderohet Evropës, sepse kushedi sa do të vazhdonte në fjalët e tij kjo çmenduri po të mos ndërhynte Evropa (fq. 121). “Më shumë njerëz do të vdisnin nga lufta, uria nga balta e Shkodrës apo Deti Adriatik”. (po aty). Pikërisht ky varg s’ka si të kujtojë edhe luftën e Kosovës më 1999, ku të gjithë pyeteshin sa do të vazhdojë marria e dëbimit të popullsisë, masakrave e vrasjeve, po të mos ndërhynte NATO-ja.
Tucoviq e sfidon “civilizimin” e pretenduar serb përballë shqiptarëve duke kritikuar rëndë krimet. “Këto fshatra shërbyen si krematoriume barbare, ku qindra gra dhe fëmijë u dogjën të gjallë (f.128). Këtu Tucoviq qëllimisht e përdor termin “barbar” duke ironizuar më tej me shtypin serb duke thënë se kryengritjet e fshatarëve (shqiptarë) janë më njerëzore, sesa praktikat e shtetit modern për të dërguar ushtarë që shtypin këto kryengritje. Borgjezia serbe me luftën ballkanike kishte hapur regjistrin e vrasjeve koloniale dhe kishte hyrë në listë me atë angleze, holandeze, franceze, gjermane, italiane e ruse (fq.128).
Racizmi antishqiptar
Për dallim prej shtypit në Beograd që në fokus nuk kishin popullsinë lokale të viseve që ushtria e tyre i pushtonte, Tucoviq shkruan pikërisht për viktimat duke kritikuar ushtrinë e tij: “Ushtria serbe kishte shtrirë pushtimin e saj nga lindja deri te portat e gryka dhe kalimeve malore, duke ndarë bujqit nga arat e tyre, bagëtinë nga kullotat, fshatrat nga mullinjtë, blerësit dhe shitësit nga tregjet, si dhe tërë komunitetet malore nga qendrat e tyre ekonomike dhe depot e drithit. Shqiptarët nuk kishin mundësi të shkonin te tokat e tyre që ndodheshin përtej territorit të pushtuar. Të gjitha burimet e jetesës ishin ndërprerë. Në dëshpërim dhe uri, njerëzit fillimisht luteshin për leje që të shkonin në tregje, por kur edhe kjo iu mohua, ata zgjodhën të vdesin nga plumbat sesa të vdisnin nga uria” (fq. 125).
Tucoviq ishte mobilizuar nga Serbia për luftërat Ballkanike dhe në fushatën serbe për të hyrë deri në Shqipëri. Kushdo që ka lexuar historinë e fillimit të shekullit XX, vëren që për elitat politike të Beogradit të asaj kohe veriu i Shqipërisë shihej si jetik për kombin serb, sepse lejonte hyrjen për në Ulqin dhe portet e Durrësit e Lezhës e më këto edhe kontrollin e Adriatikut për eksporte. Kosova dhe Shqipëria deri në luftërat ballkanike më 1912-13 nuk ishin në imagjinatën e elitave serbe si territore që duhet të shtrihen. Në shekullin XVIII në dokumentet nacionaliste serbe, si ai i Vuk Karaxhiqit i vitit 1849 “Srbi svi i svuda” apo Ilija Garashanini me “Načertanije” të vitit 1844, ambiciet territoriale serbe ishin të fokusuara në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Dalmaci e Vojvodinë. Me ekpansionin në jug të Serbisë, shtypi serb filloi të prodhonte politikën çnjerëzore ndaj shqiptareve për të përgatitur zgjerimin e territorit. Tucoviq kritikonte shtetin e tij Serbinë, se nuk kishte shkuar në Shqipëri si vend vëllazëror, por si pushtues. Ajo nuk kishte dërguar politikanë, por ushtarë. “Në fakt komanda e vetme politike ishte ‘shko pushto! Nënshtrohu ose vdis’” (fq.135).
Edhe pse Serbia ishte më e përgatitur ushtarakisht e mund të fitonte territorin me luftë, për Tucoviqin kjo ishte gabim në aspektin human, por edhe do të krijonte armiqësi të përhershme me shqiptarët të cilët e popullonin atë territor: “Kemi kryer tentativën për vrasje me paramendim të një kombi të tërë. Ne jemi kapur në atë vepër kriminale dhe jemi penguar. Tani duhet të vuajmë dënimin…. Në luftërat ballkanike, Serbia jo vetëm dyfishoi territorin e saj, por edhe armiqtë e saj të jashtëm”, shkruante ai.
Tucoviq kishte largpamësinë, të cilën nuk e kishin shumë në Beograd. Ai parashikonte që rezultat kryesor i politikës shqiptare të Beogradit, nuk ishte fitimi i territorit, por krijimi i armiqësisë mes serbëve dhe shqiptarëve. Ai kritikonte qasjen koloniale e imperiale të Serbisë, që nga një shtet që kishte kërkuar pavarësi ndaj Perandorisë, po kthehej në një shtet imperial që pretendon territore ku s’ka fare serbë dhe mundohet t’i nënshtrojë ato.
Çnjerëzimi i shqiptarëve në narrativën serbe
Shtypi serb çnjerëzonte shqiptarët si “të egër” për të fshehur mizoritë e ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve (fq.18). Tucoviq, i cili ishte kritik ndaj shtypit shovinist, ishte i tronditur me sjelljet e ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve, ai nuk cilësonte ushtrinë serbe si “çliruese” siç e paraqiste shtypi serb, por ushtri që vriste burra, gra, fëmijë dhe ndizte fshatrat duke i kthyer në hi (fq.128). Demonizimin e shqiptarëve si armiq, Tucoviq e sfidon përmes shkrimeve të Miljanovit që tregojnë se si para dhe përgjatë Perandorisë Osmane shqiptarët kishin bashkëjetuar me serbët.
Fatkeqësisht ende në Serbi, edhe një shekull më pas, vazhdon kjo gjuhë nga shtypi i njëjtë që i paraqet shqiptarët si të prapambetur, trafikantë drogash e Kosovën si narko-shtet, naziste, e të tjera. Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, në vitin 2019 kishte quajtur lidershipin e atëhershëm politik të Kosovës, si “njerëz që kanë dalë nga mali”. Ky lloj çnjerëzimi i shqiptarëve i popullarizuar nga luftërat ballkanike ekziston ende dhe në kohë të luftërave ka shërbyer si nënprodukt psikologjik i narrativave ideologjike që mohojnë dhe justifikojnë krimet e luftës serbe ndaj civilëve në Kosovë.
Efekti gjeopolitik: Shqiptarët e shtypur do të bashkoheshin me fuqitë e jashtme
Një argument tjetër që ngre Tucoviq është ai gjeopolitik. “Ekspansionizmi serb, malazez dhe grek dështoi ta ndajë Shqipërinë, por pati sukses në ndarjen e saj” (fq. 72). Sipas tij, nëse Ballkani i ri pas-osman, nuk krijohet në parimin e barazisë mes popujve, atëherë popujt e shtypur do të bashkëpunonin me fuqi të jashtme për t’u mbrojtur. Konferenca e Londrës (1913) thotë se ishte edhe më e dëmshme për Shqipërinë, sesa Kongresi i Berlinit (1878) për Serbinë (fq.72). Zvogëlimi i Shqipërisë, sipas Tucoviqit e shtyu këtë të fundit që për të shpëtuar nga fqinjët të kërkojë ndihmën nga Italia e Austro-Hungaria. Për të nuk është e rrezikshme një Shqipëri autonome, por një Shqipëri e cila u krijua në kundërshtim me ambiciet ekpansioniste të fqinjëve të vet (fq.137). “Aty ku miqësia ishte e nevojshme për të dyja palët, armiqësia e ashpër mbizotëron. Në vend se të ketë miqësi mes dy palëve, njëra është viktimë e tjetrit” (po aty).
Parashikimi që shqiptarët duke u ndarë nëpër territore të ndryshme do të ishin më të varur nga fuqitë e jashtme s’ka si të mos ishte i saktë. Ishte pikërisht Shqipëria që shpalli pavarësinë me ndihmën e Austro-Hungarisë e Italisë pas rënies së Perandorisë Osmane. Shtypja dhe dobësimi i shqiptarëve i bëri ata gjithmonë të varur nga forcat e jashtme për të mbijetuar në trevat e tyre. Serbia kishte krijuar një armiqësi të tillë më shqiptarët dhe Shqipërinë në mënyrë që kjo e fundit mund të ndihet e sigurt vetëm në mbrojtje të fuqive më të mëdha.
Parashikimi i Tucoviqit mbeti i vërtetë edhe pas luftërave ballkanike. Shqipëria komuniste më vonë do të bashkëpunonte me Stalinin e Maon, e Kosova në vitet’90 do të bëhej vendi më pro-amerikan në Ballkan, nga që ishte roli i SHBA-së që brenda një aleance perëndimore të NATO-s e lejoi që të formohej si shtet. Kështu Tucoviq ngrit një pyetje kontrafaktuale të rëndësishme: a ishte Serbia më e sigurt, duke i okupuar tokat me shqiptarë, e duke i armiqësuar ata, ngaqë kështu i shtyu të gjenin aleatë në fuqitë e mëdha që bashkë me shqiptarët luftonin Serbinë? Vetë shpallësi i pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali kishte deklaruar që portin e Durrësit, Serbia mund ta përdorë si mike e jo duke e okupuar Shqipërinë. Por një miqësie të tillë nuk iu dha rasti e pastaj mundësia e saj u zvogëlua me pushtimet dhe krimet që shoqëruan atë ekspansion.
Si duhet të jetë Serbia me Shqipërinë?
Sipas Tucoviqit një mirëkuptim ndëretnik duhet të jetë një synim i politikës së jashtme serbe. Si social-demokrat, për të ishte me rëndësi që klasa punëtore qoftë serbe apo shqiptare të jetë bashkë kundër shfrytëzimit nga borgjezia. Sipas tij social-demokracia ndërtohet në shoqëri, aleancë e gjithë popujve ballkanikë. Pra Tucoviqi kërkonte një konfederatë ku popujt janë të barabartë, jo sistemet që pasuan më pas si Mbretëria serbe, kroate e sllovene apo Jugosllavia ku sllavët ishin dominues, e shqiptarët si dhe e minoritetet e tjera ishin qytetarë pa republikë e të dorës së dytë. Në vizionin e tij shqiptarët, serbët dhe malazezët mund të bashkëpunojnë dhe të përfitojnë nga bashkëpunimi, ngaqë Serbia për dalje në det do të duhej të shkojë përmes Shqipërisë, edhe dalja e Shqipërisë në gadishull shkonte përmes Serbisë (fq. 135). E sa i përket shtetit, sipas tij shqiptarët kishin po aq të drejtë për shtetin e tyre sa edhe serbët.
Kur shikojmë prapa në një libër të tillë, e vërejmë sesi propaganda e zhvilluar në luftërat ballkanike ende zotëron diskursin serb mbi Kosovën. Në protestat e vitit 1981 shqiptarët e Kosovës kërkonin barazi në Jugosllavi dhe statusin e republikës, përkundrazi atyre më 1989 iu hoq edhe autonomia që e kishin. Po të fitonte narrativa e Tucoviqit mbi shqiptarët, serbët nuk do të kishin krijuar një armik, por një partner në rajon, të bazuar në një aleancë ku të gjithë janë të barabartë. Serbia e sotme nuk e zotëron as Kosovën, as Maqedoninë, as portin e Ulqinit, Durrësit apo Selanikut dhe mbijeton si shtet. Sidoqoftë ushtron revizionizëm sidomos në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, por edhe në Mal të Zi. E ndoshta pikërisht për këtë duhet leximi i dikujt si Dimitrije Tucoviq, që partneritetin e ngre në barazi e bashkëpunim mes popujve. Ky vizion jo vetëm kishte ndryshuar kursin historik të Serbisë dhe Kosovës, por mund të shërbejë edhe sot si model për marrëdhënie rajonale në kërkim të një paqeje të qëndrueshme dhe mirëqenieje për të gjithë.
KOHA.net