Njihuni me Princ Loris Castriota Skanderbeg, stërnipin e Skënderbeut

Sot në “Ftesë në 5” me Bieta Sulon ishte i ftuar Princ Loris Castriota Skanderbeg, i cili përmes një lidhje skype nga Italia tregoi lidhjen e tij të gjakut me heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun.

“Kush e njeh historinë e Skënderbeut e di që kur vdiq i biri Gjon dhe Donika kanë ardhur në Itali, në Pulia. Dhe që atëherë familja ime jeton në qarkun e Pulias, këtu është dhe toka ku mbreti i Napolit ia dhuroi familjes. Si çdo familje e madhe që u transferua në Itali, kanë qenë gjithnjë të respektuara nga Italia dhe gjithashtu janë pranuar në familjet e mëdha italiane”, tregoi ai ndërsa u transmetua edhe pema familjare.

Loris tregoi se për herë të parë ka vizituar Shqipërinë në vitin 2012 dhe prej asaj kohe vjen të paktën dy herë në vit.

I pyetur nga Bieta nëse bën jetë luksoze Loris tregoi se ka kontakte me njerëz të shtresave të larta, por bën një jetë më se normale.

Ai po ashtu foli edhe për dy djemtë e tij, duke u shprehur dëshirën që të ruajë kulturën dhe rrënjët shqiptare.