Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duan që kompanitë ruse të menaxhojnë industrinë e naftës së Serbisë! Kështu u shpreh ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, James O’Brien, në një intervistë për Radio Televizionin Publik serb.
Ai e bëri të qartë se i vetmi kusht i pranueshëm për Uashingtonin kur bëhet fjalë për çështjen e NIS, që është sanksionuar nga SHBA, është që pjesa e pronësisë ruse të jetë zero.
Sipas tij, sanksionet amerikane nuk synojnë të dëmtojnë Serbinë, por Rusinë dhe se në shënjestër të tyre janë vendosur më shumë se 300 kompani të Moskës.
Çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, O’Brien e ka cilësuar si më të ndjeshmen, teksa sipas tij, ekziston një mundësi për të propozuar një vizion se si serbët në Kosovë te jetojnë si qytetarë me të drejta të plota.
“Vendimet natyrisht do ti takojnë popullit të Serbisë, që duhet të vendosë nëse është i gatshëm të marrë masat që pret Europa, pra njohjen e kufijve”, ishin fjalët e O’brien.