“Nuk trembemi”- Altin Dumani: Po tronditet pandëshkueshmëria në Shqipëri

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, është shprehur se me Reformën në Drejtësi, pandëshkueshmëria po tronditet në Shqipëri.

Komentet Dumani i bëri në ceremoninë e përfundimit të vettingut të prokurorëve e gjykatësve, proces që nga 31 dhjetori do i kalojë në kompetencë kreut të SPAK.

Dumani tha gjithashtu se me Reformën në Drejtësi është rritur demokracia dhe është shtruar rruga për integrimin e vendit në BE, shkruan A2 CNN.

Kreu i SPAK tha gjithashtu se gjatë rrugëtimit të tij SPAK është përballur me shumë sfida, të cilat sipas tij, as nuk i kanë stepur e as nuk i kanë trembur prokurorët.

Të nderuar ambasadorë, anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të nderuar komisionerë publik. Duhet të ndaj me ju disa reflektime të një procesi që i dha formë sistemit tonë të drejtësisë. Ishte përcaktues për të pasur një demokraci më të fortë dhe për të bërë më të sigurt rrugën drejt BE.

7 vite nuk janë pak, por Reforma në Drejtësi ishte transformuese për të përshkruar një prej proceseve më gjithëpërfshirës, për t’i sjellë qytetarëve shqiptarë një sistem drejtësie të drejtë e professional. KPK dhe KPA kanë vendosur me shembullin e tyre një gurëthemel mbi të cilat institucionet e drejtësisë do të ngriheshin. SPAK është një institucion i pavarur dhe të 20 prokurorët i janë nënshtruar procesit të vettingut.

Pandëshkueshmëria po tronditet sot. Rruga na përball çdo ditë me sfida të reja, që as nuk na kanë trembur, e as nuk na kanë stepur. Një nga përparësitë e SPAK nga 31 dhjetori është edhe administrimi i rolit të komisionerëve publikë. Të gjitha çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të magjistratëve, do i kalojnë drejtuesit të SPAK. Deri tani numërohen 40 ankimime. Parashikohet që drejtuesi i SPAK do të ketë një rol të madh të përfaqësimit të këtyre çështjeve përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, tha Dumani, shkruan A2 CNN.