Organizimi i përbashkët e Euro U21 në 2027, UEFA shtyn vendimin për Shqipërinë dhe Serbinë

UEFA ka vendosur të marrë kohë për të marrë vendimin e organizimit të Kampionatit Evropian të të rinjve 2027. Vendimi do të jepet më 4 shkurt, edhe pse Serbia dhe Shqipëria janë të vetmet kandidate. Belgjika dhe Turqia tërhoqën ofertat e tyre për shkak të sfidave në rritje të sigurisë, duke e lënë Ballkanin si opsionin e vetëm për të pritur turneun.

Sipas kandidaturës së përbashkët, Tirana duhet të presë hapjen në “Arena Kombëtare”, ndërsa finalja do të zhvillohej në Beograd në “Stadiumin Kombëtar”. Mediat serbe kanë zbuluar se do të luhen ndeshje edhe në Leskovc, Loznicë, Surçin dhe Zajeçar. Në Shqipëri me shumë mundësi do të luhen ndeshje edhe në Elbasan, Shkodër dhe në “Egnatia Arena”.

Fillimisht ishte planifikuar që Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s të merrte vendimin zyrtar për Shqipërinë dhe Serbinë, si mikpritësit e turneut, por duhet pritur dhe një muaj e gjysmë për konfirmimin. Gjithsesi kjo nuk vë në dyshim faktin që Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë këtë turne në vitin 2027.

Kujtojmë që të dyja vendet do të përballen fillimisht në fushën e blertë me Kombëtaret A, ku janë shortuar në të njëjtin grup në kualifikueset për Kupën e Botës 2026. Dy ndeshjet në Tiranë dhe Serbi do të jenë një provë e rëndësishme, që të dyja vendet të marrin aprovimin për organizimin e një turneu të tillë.