Me tone të ashpra ka folur Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy në përfundim të ditës së parë të Samitit të BE për Ukrainën. Në pjesën e parë të fjalës së tij, Zelenskyy akuzoi vendet perëndimore se ishin ato së bashku me Rusinë, të cilët prishën akordin e Memorandumit të Budapestit, e cila e zhvishte Ukrainën nga posedimi i armëve bërthamore dhe e vinte territorin e saj nën garancinë e superfuqive.
“Kushti i Memorandumit të Budapestit ishte që Ukraina të jepte armë bërthamore – një sasi shumë e madhe që Ukraina kishte në atë moment. Si mund t’i besohet këtij dokumenti dhe si mund t’u besohet partnerëve që e nënshkruan dhe garantuan integritetin dhe sovranitetin tonë territorial? Përgjigja është shumë e thjeshtë: ky dokument nuk funksionon. A funksionojnë marrëveshjet e partnerëve të tjerë të mëdhenj me Rusinë? Jo, nuk funksionojnë. Këto nuk ishin vetëm marrëveshja midis Ukrainës dhe Rusisë. Këto ishin marrëveshje midis Ukrainës dhe të gjithë partnerëve. Do të thotë se në përgjithësi këto marrëveshje nuk funksionuan”, u shpreh Volodymyr Zelenskyy, president i Ukrainës.
Zelenskyy paralajmëroi edhe vendet aleatë se duhet të zgjedhin mes një Ukrainë me armë bërthamore për te mbrojtur veten ose një garanci ndërkombëtare se territori i saj nuk do të cenohet në të ardhmen.
“Duke folur me Donald Trump-in, i thashë: cila është rruga, ose Ukraina do të ketë armë bërthamore dhe pastaj kjo është mbrojtje për ne, ose duhet të kemi një lloj aleance. Sot, ne nuk njohim asnjë aleancë efektive përveç NATO-s. Vendet e NATO-s nuk janë në luftë. Vendet e NATO-s nuk po bëjnë luftë. Të gjithë njerëzit në vendet e NATO-s janë gjallë – faleminderit Zotit. Kjo është arsyeja pse ne zgjedhim NATO-n, jo armët bërthamore. Ne po zgjedhim NATO-n”, tha Zelensky.
Zelenskiy është në Bruksel për bisedime me liderët e Bashkimit Evropian dhe ministrat e mbrojtjes të NATO-s në një përpjekje për të mbledhur mbështetje për Planin e tij të Fitores, i cili përfshin një kërkesë për një ftesë formale dhe të pakushtëzuar për t’u bashkuar me NATO-n.