Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se është zhvilluar një takim i shkurtër i përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku ishin të pranishëm edhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Në fund të takimit me Macron dhe Scholz ata propozuan që të kishte edhe një diskutim joformal me presidentin e Serbisë, natyrisht në takim ishte edhe përfaqësuesit i Lartë i BE-së, Josep Borrell. E kishim një takim të përbashkët diku 10 minuta , ku edhe njëherë u dëshmua se Vuçiq nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe, por në fakt është burimi kryesor i jostabilitetit në gjithë rajonin tonë.
Por, unë do të vazhdojë të punoj me partnerët tanë, me Gjermaninë, me Francën, me SHBA-në si aleat yni kyç, por edhe me shtetet e tjera prej disa prej çështjeve që i propozuan edhe presidenti Macron, edhe kancelari Scholz, e që i ka propozuar edhe sekretari i shtetit amerikan, Blinken.
Ka mundësi që të gjinden zgjedhje përpara. Vullnetin e kemi të përbashkët dhe ai është Kosova sovrane dhe e pavarur të jetë e suksesshme në gjithë territorin e saj. Natyrisht asnjëherë duke mos i ikur obligimeve që t’i mbrojmë të gjithë qytetarët, përfshirë edhe pakicën serbe”, ka theksuar Osmani në një intervistë ekskluzive për transmetuesin publik.
Ajo ka thënë se zgjidhjet për shtensionim të situatës ekzistojnë por ato duhet të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, derisa ka thënë se takimi trelateral ka qenë propozim i përbashkët i Macronit dhe Scholzit.