Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shtrënguar duart me presidentin e sapozgjedhur Donald Trump në ceremoninë e rihapjes së Katedrales së Parisit.
Në këtë ceremoni janë mbledhur udhëheqës botërorë për të marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes së katedrales Notre Dame.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, me të cilin u takua edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila publikoi një fotografi ku shihet duke i shtrënguar duart me Trump.
“Me Presidentin Trump, në ceremoninë e rihapjes së Katedrales së Parisit ‘Notre Dame’”, shkroi Osmani në Facebook.
Osmani iu bashkua sot liderëve nga e gjithë bota për të marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre Dame.
Presidentja Osmani dhe bashkëshorti i saj Prindon Sadriu u ftuan për këtë ceremoni nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Përveç ceremonisë në katedrale, ata janë ftuar edhe në Pallatin Élysée, në një darkë të organizuar nga presidenti Macron për krerët e shteteve që do të marrin pjesë në ceremoni.
Katedralja e Notre Dame, monument 850 vjeçar i trashëgimisë kulturore, është restauruar pas zjarrit shkatërrues të pesë viteve më parë. Ajo u dëmtua rëndë në një zjarr në vitin 2019.