Mungesa e fuqisë punëtore gjatë sezonit turistik në Vlorë ka shtyrë bizneset të kërkojnë punonjës në tregun e huaj.
Operatorët turistik në Vlorë dhe Rradhimë kanë punësuar të huaj nga Sri Lanka, Turqia apo Nepali. Këta shtetas kanë zgjedhur të punojnë në Vlorë për paga më të larta që ofron Shqipëria në krahasim me vendet ku jetojnë. Andrea dhe Vino janë 2 nga 6 punëtorët nga Sri Lanka që punojnë në pastrimin e hotelit dhe mirëmbajtjen e plazhit.
“Jam 23 vjeç, vij nga Sri Lanka, do të punoj 6 muaj dhe do të kthehem në vendlindje, kam prindërit dy vëllezër dhe një motër. Paga është e mirë 400 dollarë në muaj, në Sri Lankë ekonomia është shumë e dobët. Kushtet këtu janë të mira”, tha Andrea.
“Jam nga Sri Lanka dhe zgjodha të vij për të punuar për rrogën, 600 dollarë është mirë. Punoj në pastrimin e hotelit. Është hera e dytë në Shqipëri, kam qenë në Tiranë më parë, tani në Vlorë. Është i thjesht edhe komunikimi pasi të gjithë flasin anglisht”, tha Vino. Sotiri i cili punon prej 15 vjetësh si mjeshtër bojaxhi pranë strukturës hoteliere thotë se ndihma është e madhe pasi mungesa e fuqisë punëtore penalizon strukturat gjatë sezonit.
“Janë njerëz të mirë punojnë, për fat të mirë unë flas anglisht dhe kuptohemi. Pagat janë normale si tregu në Shqipwri, mbi 400. Na japin një dorë se kemi mungesë punëtorësh. Të rinjtë tanë? Nuk kanë dëshirë , të gjithë po ikin dhe detyrohemi të marrim këta”, tha Sotir Xholaj. Menaxherja e njësisë hoteliere tha për Euronews se aktualisht 8 janë të huajt që punojnë në hotel, nga Sri lanka dhe Turqia. Sakaq, në ditët në vijim priten edhe 14 punëtorë nga Nepali.