Palermo – Pasha Liman dhe ne nënujsit e asaj kohe

Nga Avis Gjyshja

– “Pasha Liman, e dielë në drekë! Pas emisionit radiofonik, “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, duke ndenjur shtrirë në krevatet tona, Sh. më habiti me vetëpërgjigjen e pyetjes së tij. – E di çfarë po mendoj? -më pyeti. – Sikur të plaste një luftë tjetër…. Do kishim të paktën ca heroizma të reja..”
(Marrë nga ditaret e mij të asaj kohe – Sh. shok i imi, ish oficer në nëndetëse)

Nga kurioziteti, por dhe nga lidhjet personale me botën e nëndetëseve, kam kërkuar shumë e kam lexuar çfarë kam gjetur, rreth Bazave Nëntokësore të Marinës nëpër botë. Ka shumë pak material të publikuar për këtë temë. Një e famëshme dhe shumë e ngjajshme me Bazën e Palermos në Shqipëri është Baza e Balaklavasë, në Krime të Detit të Zi.

Për shumë arësye sovjetikët, pavarësisht kostos së jashtëzakonëshme, vendosën të ndërtonin një Bazë të Nëndheshme Nëndetësesh, fare pranë Sevastopolit, në Balaklava të Krimesë. Balaklavaja ishte një qytezë e mbyllur në fundin e një gjiu të ngushtë, shumë të mbrojtur nga stuhitë e natyrës e sytë e kurreshtarëve dhe më e rëndësishmja duket se plotësonte dhe kushtet e mbrojtjes nga sulmet bërthamore aq afër të mundëshme gjatë Luftës së Ftohtë. Kjo zgjedhje për Flotën Sovjetike të Detit të Zi ishte gati njëlloj sikur ta kishte këtë bazë në Detin Mesdhe, i cili duhet nënvizuar se konsiderohej me të drejtë si teatër shumë strategjik i Luftës së Ftohtë. Në vitin 1953, Instituti i Projektimeve të Leningradit përgatiti dhe çoi para qeverisë projektin e kësaj Baze Nëntokësore. Vetë Stalini personalisht u përkujdes deri në detaje për këtë projekt.

Realizimi i këtij projekti i mori Bashkimit Sovjetik të asaj kohe 8 vjet. Më 1961 Baza Nëntokësore e Nëndetëseve në Balaklava u quajt e përfunduar. Emri i koduar i saj ishte”825 GTC”. Po atë vit, vetë udhëheqësi sovjetik i asaj kohe, Nikolay Khruschev vizitoi bazën në fjalë dhe në mbarim të vizitës, duke tundur duart, siç ishte në tipin e tij, tha diçka që nuk u harrua kurrë. – Ai tha, se e gjitha kjo duhet t’ju jepej prodhuesave të verës për qilar!….Dhe në fakt koha tregoi që rusët do ta përdornin bazën e Balaklavasë si një bazë ushtarake në paqe por kurrë për luftë…. Sot kjo Bazë njihet si Muzeu Naval i Luftës së Ftohtë!

Shumë larg nga Balaklava dhe nga Deti i Zi, në një tjetër vënd mesdhetar, të tjerë diktatorë, në një lidhje të re “dashurie” me një vënd të madh e përsëri aziatik, menduan e filluan të ndërtonin një tjetër Bazë Ushtarako Detare Nëntokësore. Kjo e kësaj radhe, ndryshe nga ajo e Balaklavasë nuk ishte menduar për nëndetëse, por për Katera me Raketa. Dhe për këtë punë qe zgjedhur Gjiu i Palermos në jug të Shqipërisë. Projekti i kësaj baze ishte një bashkëpunim kinezo-shqiptar, i paparë e i padëgjuar për vëndet e Detit Mesdhe për nga kostua, volumi i punës që do të kryhej dhe fuqia ushtarake që do instalohej në të.

Une kam shpenzuar disa vite si nënujës në Bazën Nëntokësore të Palermos.

– Po çfare ishte në të vërtetë Baza e Palermos?

Në fakt asnjëherë unë nuk kam parë dokumenta zyrtare rreth megaprojektit të Palermos dhe megjithëse kam ndenjur disa vjet atje më mungoi dëshira e eksplorimit të labirinteve të tij. As foto nuk ka shumë dhe ish nënujsit duket sikur nuk kanë kujtime të mira atje e vazhdojnë të kujtojnë Pasha Limanin si shtëpi të parë e jo Palermon.
Ka shumë shifra por ato vetëm se do ta bëjnë edhe më të trishtuar tregimin tim. Dija që kishte shumë ambjente të brëndëshme si depo silurash, karburantesh, ofiçina riparimesh, salla dizel – gjeneratorësh, sisteme ajrimi, sisteme alarmi, sisteme zjarrëfikese, sisteme komunikimi, zyra, vinça urë për të ngritur nga uji katerat që nuk erdhën kurrë e plot ambiente të tjera e pajisje teknike. Kishte dhe një dalje të dytë nga veriu porta e të cilit ishte bllokuar nga prurjet e rënda shkëmbore të rrymave detare që para se atje të transferoheshin nëndetëset. Në më të shumtën e ambjenteve të brëndëshme unë nuk shkela kurrë, tek ca se nuk më lehohej hyrja e tek ca të tjera se nuk kisha deshirë.. Shumë herë e kishja përshkuar tunelin kryesor vajtje ardhje në gjithë gjatësine e tij me qëllimin aspak ushtarak apo eksplorues, thjesht për të dalë në krahun tjetër të malit e për të peshkuar në ujrat me më shumë peshk të atij krahu.

Mbas prishjes me kinezët, projekti i Katerave me Raketa u bë i pamundur duke provuar kështu dhe njëherë më shumë, në një shkallë miliona herë më të madhe, vërtetësinë e proverbit se “Kali i huaj të lë në rrugë”. M. Shehu, dyshi i diktaturës, gjatë një vizite të qëllimte në këtë objekt, menjëherë pas prishjes me kinezët tha se “partia po mendonte ta përdorte objektin për nëndetëset”. Dhe kështu bënë! Dhjetra mijra ushtarë xhenierë, shumica bij të shtresave të persekutuara politikisht, gërmuan si skllever, nën ujë e nën gurë, prej mëse 20 vjet në shkëmbijtë e Palermos. Sasira të mëdha fondesh u hodhën në këtë shpellë e cila në mëndjen time përveç panevojshmërisë, që në momentin e idesë, devijimeve të projektit, e plot bëmave të tjera, në fundin e viteve 80, e gjeti veten përfundimisht të papërdorëshme.

Vajtja ime e parë atje ndodhi në një ditë dimri të vitit 86, kur bashkë me një tjetër inxhinier nënujës, ishim urdhëruar që duke përdorur një nga gjuajtësit detarë të FLD, të bënim disa matje të cilësive hidroakustike të gjiut të Palermos. Ishte një ditë vërtet e keqe për të qenë në det;- një ditë gri, e ftohtë me erë e lagështi të madhe, kur mua dhe shumicën e marinarëve na kish zënë deti e era e të vjellave të thartuara dukej sikur mbushte gjithë gjirin aspak mikpritës të asaj dite të parë timen në atë vënd. Grija e kaftë dhe e shpëlarë e brigjeve të lagura e të gurta të Palermos, në atë ditë të largët e të ftohtë dimri, më la si përshtypje të parë një ndjenjë të thellë vetmie e trishtimi. Objektet tokësore të Bazës të futura nëpër gryka e rrëkera plot ferra e gjëmba, të gjitha të suvatuara keq me atë llaçin rërë trashë të atyre anëve, ushtarët-skllevër rrobashqyer e të pluhurosur të xhenjos që lëviznin si të burgosurit në xhirot e ajrimit e pak më poshtë hyrja e betontë e bazës… Kishte vetëm pak vënde të gjelbra buzë detit nga Baza e deri tek kalaja e Ali Pashës në lindje dhe ca kaktuse gjëmbashumë shkretëtirash në faqet lindore të gjiut për ti lënë vëndin më në lartësi, drunjëve të vetmuar të valanidhit.

Si për ta bërë edhe më të zymtë këtë situatë po ato ditë si një lajm të ri, më kishin treguar dhe për një vrasës serial të kapur dhe të dënuar me vdekje për një seri vrasjesh horror midis ushtarëve të xhenjos.
E vetmja gjë çuditërisht ndryshe që vura re në atë ditë të pare, por dhe në ca vizita të mëpastajme, ishte një ushtar xhenjer me origjinë nga Dukagjini, që sa here ishte i lirë, ulej gjithmonë mbi një gur të madh ne anën jugore të hyrjes së tunelit dhe këndonte këngët e vëndit të tij…

Gjëndja morale e nënujsave të asaj periudhe ishte tejet e rënë. Duke qenë vetë një nga ata e duke i njohur nga shumë afër shokët e mij të nënujit, pa mëdyshje heronj të një lloji të pashoq të fatit të tyre, nuk kam besuar kurrë se ata në shumicën e tyre mund të frymëzoheshin e të shtyheshin të luftonin për motive ideologjike. Unë e di që ata si edhe unë nuk ju besonin eprorëve politikë.
Ne ishim një popull i tërë i dënuar me punë të detyruar. Para pak ditësh kur po lexoja një artikull rreth veprës letrare të Visar Zhitit në Itali, pashë që autori e quante poetin një ish të dënuar me punë të detyruar. Buzëqesha trishtë me padijen e autorit. Poeti ishte i dënuar me burg dhe i tërë fisi e krushqia e tij bluhej nga mulliri i luftës së klasave, ndërsa gjithë ne të tjerët nga frika e atij mulliri bënim atë që na urdhëronin dhe jo atë që donim. Kështu ishte dhe puna jonë e të qënit nënujsa!

Transferimin e Brigatës së Nëndetëseve nga Pasha Limani për në Palermo besoj se të gjithë nënujsit e pritën keq. E pritën keq sepse teknikisht dhe ushtarakisht, ishte i gabuar. Nënujsit për vetë mënyrën e jetës së tyre ishin njerëz të zgjuar e të lexuar dhe e dinin më mirë se sa “të mëdhejtë” e Tiranës se çfarë ishte më mirë për nëndetëset. Përveç kësaj ne ishim mësuar me Pasha Limanin i cili na ishte bërë gati si shtëpia jonë dhe ndjeheshim keq që do ta linim. Gjiu i Vlores kishte qenë një laborator shumë i mirë stërvitjeje për nënujsat, dhe popullsia për rreth kishte qenë jashtëzakonisht e dashur me ne. Uzina e Riparimit të Anijeve ishte afër për çdo problem teknik apo nevojë riparimi. Dhe tani me urdhër nga lart duhej të iknim për fare! Ti linim të gjitha! Të linim më të mirat për të pasur më të këqiat. Baza e Palermos nuk kishte qenë kurrë e nuk do bëhej asnjëherë e përshtatëshme për Nëndetëset. Dukej sikur po na çonin atje që të mos e linin bosh atë shpellë ku kishin harxhuar aq shumë.

Të gjithë ishin të prekur e të pakënaqur nga kjo ikje.Trishtimi i ndarjes kish ditë që kish pllakosur në Pasha Liman. ..Shikonim Zylon e klubit që mezi i mbante lotët, kamarieret tona po ashtu, mbaj mënd Kananin, shoferin legjendar të autobuzit të nënujsave, njeriu i fortë që i shkulte dhëmballët e veta me darët e punës, e që i pirë si gjithmonë, qëndronte këmbëhapur në sheshin para Komandës dhe zihej me vehten. Po ashtu punonjësit e KRAF që nuk e fshihnin fare dëshpërimin e ndarjes. Besoja thellësisht që kjo ishte vërtet një ndarje e keqe dhe dukej si goditja e fundit dhe e parikuperueshme kundër nëndetëseve nga administrata e pa aftë e militante e strukturave të shtetit të asaj kohe.

Kanë kaluar shumë vite por edhe sot më bëhet sikur në bankinën e nëndetëseve në Pasha Liman, krahas njerëzish të tjerë qëndronte i përlotur dhe shoku jonë B.Sh. i cili kish kontribuar aq shumë në historinë e teknikës së nëndetëseve dhe së fundi ishte transferuar diku në një detyrë tjetër. Ne e linim Pasha Limanin ndërsa sirenat e trishtuara të përcjelljes së Brigatës së Nëndetëseve, gjëmonin gati deri në Vlorë, në atë mëngjez të trishtuar për historinë e asaj Baze…

Ikëm duke mbyllur kështu realisht e përfundimisht historinë e vërtetë te nëndetëseve në Pasha Liman. Pak para ikjes tonë, shoku im, ish oficeri Sh. të cilit i takon fragmenti i ditarit në krye të këtyre shënimeve, ishte dënuar me 8 vjet burg për ulje të vigjilences ushtarake. Po ato ditë kur ne këmbëzvarrë po perpiqeshim të instaloheshim në Palermo, roja i portës së jugut të tunelit, efektiv i Brigadës së Nëndetesëve zbrazi mbi xhenjerin dukagjinas që këndonte tek porta e tunelit një breshëri të tërë plumbash. Akoma dhe sot e kësaj dite, si një dëshmi e absurdit që nuk riparohet dot kurrë, mbi betonin e Portës së Jugut janë gjurmët e atyre plumbave që i morën jetën atij djali të gëzuar…

U desh shumë kohë që ne të gjenim njëfarë normaliteti në bazën e Palermos, por kurrë atë që duhej.. Ngadalë e ngadalë filluam të ingranohemi në jetën e njerëzve të zgjuar e të kulturuar të Bregut të Detit dhe të paktën unë një ditë e ndjeva vehten një nga ata. Siç e kam thënë, unë ëndërroja një botë tjetër, ëndërroja lirinë që se kishim dhe kështu shkoja buzë detit e zhytesha në ëndërrat e mija. Shihja larg atje ku qiell e det bëheshin një, dhe me vehte thoja se atje është Amerika,ëndërra ime e lirisë…

…. Punës në Nëndetëse kisha filluar ti shmangesha por dhe eprorët – shokë të mij -nuk kishin më qejf të kërkonin llogari… Shteti yne ishte vetëmundur e vetëshpartalluar në mënyrën më të keqe të mundëshme duke ecur kundër ligjeve të natyrës e të jetës..
Edhe njëherë ishte per tu kujtuar thënia e famëshme e Nikolay Khruschev për Bazën e Balaklavase…Vlente njëlloj dhe për Bazën e Palermos….!

…Unë dhe shokët e mij vajtëm djem të rinj e të bukur në Flotë dhe një dekadë e pak më vonë po iknim të maturuar e të trishtuar e me bindjen e thellë se ai shtet i shpartalluar nga të gjitha anët duhej bërë ndryshe. Une ishja nga të parët që ika e te tjerët një nga një më prapa, por të gjithë të bindur se vendi ynë kishte humbur shumë vite, energji, rini e shpresa në mënyrën më të keqe të mundëshme. Iknim dhe linim pas historinë e dhimbëshme të rinisë tonë, një histori për fat të keq gjithmonë të përgojuar nga politika e mentaliteti, një histori që për çdo komb tjetër do ishte histori krenarie…/ZgjohuShqiptar.info