Pallaska tha se po gjykohet UÇK-ja, Prokuroria Speciale paralajmëron sanksione ndaj tij

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar nga trupi gjykues në Dhomat e Specializuara që të marrë në konsideratë deklaratat e bëra të Dastid Pallaskës, pjesë e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, përgjatë një paraqitje të tij në RTK.

Në ankesën që ka parë Gazeta Insajderi, aty Pallaska paralajmërohet për sanksione nga ZPS-ja, meqë sipas tyre përbën shkelje në Kodin e Sjelljes.

“Neni 13(a) i Kodit të Sjelljes parashikon që avokati dhe prokurorët nuk do të ‘bëjnë me vetëdije deklarata në mediat sociale, për shtypin ose publikun, të cilat janë të rreme ose shpifëse, ose të zbulojnë informacione konfidenciale, duke përfshirë për personat e përfshirë në procedim”, thuhet në ankesën e Prokurorisë.

ZPS-ja ka komentuar deklaratat e Pallaskës, i cili në televizion publik tha se 99 për qind e aktakuzës ndaj Thaçit nuk ka të bëjë fare me raportin e ish-senatorit zviceran, Dick Marty.

“Tri Dhoma të ndryshme kanë mbështetur, në arsyetim të detajuar, lidhjen dhe juridiksionin përkatës. Komenti i z. Pallaska se juridiksioni i Dhomave të Specializuara bazohet në ‘arsyetim jo serioz’ është qartësisht mashtrues dhe nuk përputhet me kërkesat e sinqeritetit”, vijon ZPS-ja.

Ankesa e Prokurorisë, e cila mban nënshkrimin e prokurorit Alex Whiting, e vlerëson të gabuar deklaratën e Pallaskës se po gjykohet mbarë UÇK-ja dhe qëllimi është deklarimi i Kosovës si shtet kriminal.

“Kjo narrativë u hodh poshtë në mënyrë specifike nga Trupi Gjykues, i cili deklaroi se nuk po gjykohet UÇK-ja në këtë rast – vetëm katër të akuzuarit. Prokuroria pohon se përsëritja e pretendimeve të tilla kontribuon në një klimë të hiperpolarizuar brenda Kosovës, duke e bërë më të vështirë dëshmitarët të bashkëpunojnë dhe të japin dëshminë e tyre”, vijon ndër të tjera ankesa.