Libia po përballen me një situatë dramatike pas stuhisë që goditi vendin ditën e diel, duke sjellë shkatërrim dhe përmbytje masive.
Autoritetet vendase kanë bërë të ditur se vetëm në qytetin lindor Derna janë gjetur trupat e pajetë të 1500 personave, ndërsa deri tani janë konfirmuar 5300 persona të vdekur, por ekziston frika se ky numër edhe mund të dyfishohet. Ndërkohë, 3 ditë nga stuhia vdekjeprurëse, situata vijon të jetë e tmerrshme, ku zona të tëra janë të mbuluara nga balta e mijëra ndërtesa janë shkatërruar.
Stuhia preku tokën libiane të dielën duke shkatërruar rrugë e ndërtesa në qytetin e Dernës, e duke goditur edhe zona të tjera përgjatë bregdetit përfshirë qytetin e dytë më të madh të Libisë, Benghazi.
Autoritetet në lindje shpallën gjendjen e jashtëzakonshme, shtetrrethim, si dhe mbyllën shkolla, dyqane e porte. Shtatë pjesëtarë të ushtrisë u deklaruan të humbur gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit.
Kryqi i Kuq bëri të ditur se të paktën 150 banesa ishin shkatërruar, ndërsa në Derna, ku jetojnë rreth 100 mijë njerëz, dy diga ishin shembur duke shkaktuar përmbytjen e zonave të afërta. Autoritet e shpallën qytetin-port, si zonë katastrofe. Edhe qeveria e njohur nga ndërkombëtarët në Tripoli, është përfshirë në menaxhimin e krizës, me kryeministrin, Abdulhamid Dbeiba që tha se kishte udhëzuar të gjitha agjencitë shtetërore të merren me dëmet dhe përmbytjet.