Vetëm dy rreshta i kanë mjaftuar Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antoni Blinken, për të shprehur qëndrimin e palëkundur të SHBA-së si mburojë e Izraelit dhe për të paralajmëruar ndërhyrjen e armatosur në rast agravimi të konfliktit në Gaza.
“Mesazhi që unë i sjell Izraelit është ky: ju mund të jeni mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur veten tuaj. Por për sa kohë që Amerika ekziston, ju kurrë nuk do t’iu duhet ta bëni këtë“, u shpreh Blinken në një konferencë për media me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu.
Ai vendosi theksin te mbështetja ushtarake e ofruar nga SHBA-ja dhe punën që po bëhet për lirimin e pengjeve dhe forcimin e sigurisë përmes diplomacisë në të gjithë Lindjen e Mesme.
“Ne përsërisim paralajmërimin shumë të qartë të Biden për të gjithë (shtetet dhe jo-shtetet) në të gjithë botën, që po mendojnë se do të përfitojnë nga kjo situatë për të sulmuar Izraelin, mos e bëni sepse SHBA do të mbrojë Izraelin. Ne kemi vendosur aeroplanmbajtëse në Mesdheun lindor dhe do të ofrojmë mbështetje të mëtejshme. Ne po mbajmë premtimin tonë për të sjellë municion, së bashku me materiale të tjera mbrojtëse. Dërgesat ushtarake kanë mbërritur. Do të punojmë me Kongresin që të përmbushen të gjitha kërkesat.“
Antony Blinken – Sekretari Amerikan i Shtetit
Duke konfirmuar se 25 amerikanë janë vrarë në Izrael që nga mëngjesi i së shtunës kur nisën sulmet, Blinken shtoi se “aktet çnjerëzore dhe brutale të Hamasit sjellin në mendje më të keqen e ISIS”.
Pavarësisht kësaj, ai theksoi se Hamasi nuk përfaqëson popullin palestinez dhe ka për synim shkatërrimin e Izraelit, ndaj SHBA-ja do të punojë për të ndalur përhapjen e konfliktit.
“Do të përpiqemi që konflikti të mos përhapet. Kemi folur me të gjithë vendet për këto sulme dhe nuk ka justifikim për të tilla krime. Edhe Kryeministri e tha “ky duhet të jetë një moment për të dënuar terrorizmin”. Individë nga 36 vende u vranë në sulmet e së shtunës. Kushdo që e do paqen dhe drejtësinë duhet të dënojë terrorin e Hamas. Ne e dimë që Hamas nuk përfaqëson popullin palestinez. Hamas në vend që të promovojë mirëqenien drejton në mënyrë diktatoriale. Hamas nuk qëndron në mbrojtje të së ardhmes, ka vetëm një agjendë për të shkatërruar Izraelin. Izraeli ka të drejtën dhe detyrimin të mbrojë veten dhe të siguroje që kjo të mos ndodhë më kurrë.“
Antony Blinken – Sekretari Amerikan i Shtetit
Sakaq, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, sulmoi drejtpërdrejtë Hamasin, duke thënë se organizata “e ka treguar veten si armik të qytetërimit”.
“Vrasja e të rinjve në një festival muzikor në natyrë, masakrimi i familjeve të tëra, vrasja e prindërve para fëmijëve dhe vrasja e fëmijëve para prindërve, djegia e njerëzve të gjallë, prerja e kokës, rrëmbimi i një djali të ri, jo vetëm i rrëmbyer, i i sulmuar, i plagosur dhe shfaqja e pështirë e festimit të këtyre tmerreve tregon se Hamas është armik i qytetërimit”, tha ai.
Netanyahu po ashtu theksoi se shtetet që do të strehojnë militantët e Hamasit duhet të sanksionohen.