Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nesër do t’i drejtohet publikut atje në një konferencë për media të planifikuar për në ora 18:00.
Dje ai ka zhvilluar një takim me të dërguarin special të BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak, pas tensioneve të shtuara në Kosovë.
Pas atij takimi, presidenti i Serbisë njoftoi se në 72 orët e ardhshme do t’i drejtohet publikut dhe do t’i paraqesë kërkesat e tij lidhur me situatën në Kosovë.
Disa tabloide të afërta me presidentin serb shkojnë deri aty sa thonë se Vuçiq mund të shpallë nesër “një okupim të një pjese të territorit të Republikës së Serbisë, që sjell pasoja të shumta, duke përfshirë përgatitjet për kthimin e zonave të okupuara”.
Ky formulim në fakt nënkupton pushtimin e Kosovës, i cili padyshim do të çonte në pasoja të pakuptueshme, ndoshta më të këqijat.
Tensionet në Kosovë kanë filluar të rriten sërish në rreth 15 ditët e fundit pasi qeveria atje bllokoi institucionet paralele serbe. Pas kësaj, serbët nga Kosova për disa ditë bllokuan pikat kufitare me Serbinë.
Gjithçka kulmoi me arrestimin e katër të rinjve me kombësi serbe, të cilët ofenduan policët e Kosovës, ndonëse tabloidët e Vuçiqit e paraqin atë si “vazhdim i terrorit të Kurtit ndaj serbëve të Kosovës”.