Parku Arkeologjik i Butrintit ka shënuar rritje të numrit të vizitorëve. Gjatë vitit 2024 ka mirëpritur 200 mijë 570 vizitorë, që i bie për 68.4 për qind më shumë sesa në vitin 2023. Shifrat i ka bërë publike ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, i cili ka përmendur disa arsye për rritje shifrash.
“Ky sukses vjen jo vetëm si rezultat i promovimit të trashëgimisë sonë kulturore, por edhe i transparencës së plotë në menaxhimin dhe deklarimin e biletave, duke garantuar një administrim të drejtë dhe të besueshëm të të ardhurave”, ka shkruar ai.
Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të Shqipërisë.
Ai ndodhet 25 kilometra larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet nga brigjet e detit Jon drejt fushëgropës së Delvinës.
Në brendësi të parkut gjendet qendra kryesore arkeologjike e Butrintit, ndërsa përreth saj ka edhe monumente të tjera që dëshmojnë për qytetërim mbi 3.000-vjeçar. Gjithashtu në brendësi të tij dhe afër tij ka disa monumente natyre me vlera shkencore, didaktike dhe turistike.
“Një kombinim fantastik i mjediseve detare, lumore, lagunore, fushor e kodrinor, ku janë mjaft të pranishme edhe elementet historike, të tillë si Kalaja mesjetare e Ali Pashë Tepelenës, e sidomos rrënojat arkeologjike të qytetit të Butrintit, me fillesat që në shekullit IV para erë sonë. Për këtë arsye pjesa arkeologjike e saj, në Gadishullin e Butrintit, është shpallur pjesë e UNESCO-s që më 1999, gjë që rrit më tej atraksionin ekoturistik”, shkruhet në prezantimin e njërit prej atraksioneve më të njohura të trashëgimisë kulturore jo vetëm në Shqipëri.
Por ndryshimi i mënyrës së administrimit të Parkut Kombëtar të Butrintit kishte ndezur debat në Shqipëri qysh prej vitit 2020. Edhe vitin e kaluar debati ishte rikthyer. Për këtë arsye, ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, kishte reaguar duke thënë se do të ketë në vëmendje maksimale miradministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit.
“Në cilësinë e ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe njëkohësisht si kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit (për shkak të funksionit), siguroi opinionin publik për angazhimin dhe vëmendjen maksimale për miradministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të pasurisë kulturore universale të Parkut Kombëtar të Butrintit, në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe të kuadrit ligjor shqiptar në fuqi”, kishte shkruar Gonxhja në reagim.
Në maj të vitit 2022, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë i Kuvendit të Shqipërisë kishte miratuar marrëveshjen për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.
Ministrja e asokohshme e Kulturës, Elva Margariti, kishte bërë të ditur se lidhja e marrëveshjes së administrimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit ka si qëllim administrimin efektiv, sipas një modeli administrimi, i cili synon konservimin, mbrojtjen dhe rritjen e vlerave te trashëgimisë kulturore të nënzonës së trashëgimisë dhe peizazhit kulturor të parkut kombëtar të Butrintit.