Edhe në Kosovë ka filluar thirrja për bashkëngjitje në fushatën e nisur në Kroaci dhe Maqedoni të Veriut për t’i bojkotuar marketet për shkak të çmimeve të larta, shkruan Reporteri.net.
Në vendin tonë të shtunën ka nisur të qarkullojnë disa fotografi në rrjetet sociale me mbishkrimin “Kosova bojkoton, 1-7 shkurt”, megjithatë nuk është bërë e ditur kush qëndron mbrapa thirrjes.
Një nga personat që ka shpërndarë foton për bojkot të marketeve është aktorja Arta Selimi.
Në foton e shpërndarë në rrjetet sociale bëhet thirrje të bojkotohen supermarketet e mëdha si; Viva Fresh Store, Meridian, ETC, Spar, Super Viva e Interex.
Gazeta Online Reporteri.net ka biseduar me drejtuesin e Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, i cili tha se nuk qëndrojnë prapa thirrjes për bojkot që ka nisur nga e shtuna, por ai bëri të ditur se do të ndërmarrin veprime menjëherë pas zgjedhjeve nacionale, nëse deri atëherë nuk reflektojnë bizneset.
“Deri me datën 9, odat ekonomike, bizneset qofshin ato prodhuese, shërbyese ose tregtare, shoqatat e në veçanti shoqata e shitje me shumicë dhe pakicë, të gjitha të reflektojnë deri me datën 10 shkurt dhe e kanë afatin që të prononcohen, që të deklarohen ose të paktën të ofrohen për bisedë. Nëse nuk do të ketë lëvizje deri me 10 shkurt, atëherë pas 10 shkurtit shihemi tek sheshi “Nëna Terezë”, te sheshi “Ibrahim Rugova” dhe te sheshi “Zahir Pajaziti”, tha ai, për Reporteri.net.
Thirrje për bojkot ka bërë edhe ish-kryediplomatit Petrit Selimi, i cili në një shkrim në rrjetin social “X”, ka thënë se supermarketet e mëdha në Kosovë patën fitim rekord gjatë vitit 2024.
“Kam shkruar rregullisht për çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë. E dimë në fakt se supermarketet e mëdha kanë pasur fitime rekorde gjatë vitit 2024, gjë që tregon jo vetëm inflacion, por edhe rritje të çmimeve. Pra, ndoshta disa bojktote duhen edhe në Kosovë, si në Kroaci” – ka shkruar Selimi.
Kujtojmëse nisma për bojkot, nisi në Kroaci më 24 janar, dhe është shpërndarë në Slloveni, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.