Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se pas mbylljes së degëve të Postës së Serbisë në veri, ajo e Kosovës i ka hapur pikat e saj dhe ka filluar shërbimet postare atje.
Përmes saj, Krasniqi ka thënë se qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokit, Leposaviqit dhe Zveçanit, mund të kryejnë pagesat e ndryshme institucionale.
Pas mbledhjes së Qeverisë, ai ka njoftuar se MAPL ka nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit me shoqatën “Jetimët e Ballkanit” për bashkëfinancimin e shtëpive në këto katër komuna.
“MAPL të hënën ka nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit me shoqatën “Jetimët e Ballkanit” për bashkëfinancimin e shtëpive në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Ky bashkëfinancim vjen pas numrit të lartë të aplikuesve. Sipas marrëveshjes, rreth 102 shtëpi do të ndërtohen nga MAPL dhe 100 shtëpi të tjera nga shoqata”.
“Përveç kësaj, janë funksionalizuar zyrat kadastrale komunale që qytetarët atje të mos kenë telashe me pronat. Ndërsa, që bizneset të mund të regjistrohen e përfitojnë nga masat mbështetëse të Qeverisë kemi hapur zyrat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë”.
“Posta e Kosovës ka hapur pikat e saj në katër komunat, përmes tyre ajo po ofron shërbime postare si dhe të pagesave për regjistrimin e automjeteve, dënimet në trafik, dokumentet personale”, ka thënë Krasniqi. /EO