Presidenti amerikan, Donald Trump po përballet me akuza për manipulim të tregut pas thirrjes së djeshme për të blerë aksione dhe më pas ndryshimit të papritur të kursit në luftën tregtare, çka shkaktoi një rritje të madhe të indekseve të bursës në të gjithë botën.
Bursat u rritën në mënyrë të furishme menjëherë pas njoftimit të 78-vjeçarit, por më interesante është ajo që ndodhi në bursë para se Trump të shpallte pauzën e tarifave.
Ajo që ndodhi nxiti dyshime të mëdha se investitorët e dinin planin për pauzën përpara se ai ta shpallte në rrjetin personal Truth Social.
Ndërkohë, një video po qarkullon në X, ku Trump tregon se sa kanë fituar shokët e tij. Videoja është publikuar fillimisht nga Margo Martin, këshilltarja për komunikim e Trumpit.
Në video, Charles Schwab, miliarderi amerikan dhe themeluesi i korporatës Charles Schwab, pionier në industrinë e biznesit të ‘brokerëve me zbritje’, i cili gjithashtu është një donator politik dhe mbështetës i Trumpit, shfaqet, duke sugjeruar lidhjet e tij të ngushta me të.
“Ky është Charles Schwab. Nuk është vetëm kompani, është edhe person. Sot ai fitoi 2.5 miliardë”, thotë Trump duke treguar me gishta Schwabin.
Më pas ai tregon për një tjetër person dhe thotë se “ai fitoi 900 milionë dollarë”.
Ndryshe, Trump ka deklaruar se ka pauzuar për 90 ditë tarifat që i kishte sjell një javë më parë, por të cilat nuk vlejnë për Kinën, Meksikën dhe Kanadanë.