“Pasojat janë të rënda”, Parisi përballet me sulme kundër rrjetit hekurudhor

Parisi është përballur me tre sulme të njëpasnjëshme kundër rrjetit të saj hekurudhor ditën e fillimit të ceremonisë së Lojërave Olimpike. Kompanitë hekurudhore në Francë raportuan se kishin pësuar një “sulm masiv” i cili paralizoi rrjetin e saj.

“Disa akte keqdashëse shoqëruese” prekën 3 nga 4 linjat e kompanisë sonë tha grupi hekurudhor në një deklaratë për mediat. Autoritetet në Francë e klasifikuan ngjarjen si akt sabotazhi. Grupe të caktuar vandalësh u vendosën zjarrin me qëllim për të dëmtuar sistemet e linjave hekurudhore të shpejtësisë së lartë. Të paktën 800 mijë udhëtarë u prekën.

Një burim i Ministrisë së Transportit tha për Le Parisien se shkalla e sulmit tregon se plani kishte kohë që ishte përgatitur.

“Në përgjithësi rrjeti hekurudhor është i pambrojtur, por pikat strategjike janë shënjestruar, theksojnë autoritetet lokale pariziene. Pjesa më e prekur është aksi që lidh Francën më Anglinë dhe bregun e Atlantikut. Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Kryeministri i Francës tha se, ‘Pasojat në rrjetin hekurudhor janë masive dhe tepër të rënda”.

Ministrja franceze e sportit tha se autoritetet po punonin për të “vlerësuar ndikimin tek udhëtarët, atletët dhe për të siguruar transportin e të gjitha delegacioneve në vendet e caktuara” për Olimpiadën. “Të luash kundër Olimpiadës është të luash kundër Francës, kundër vendit tënd”, tha zyrtarja e lartë franceze për mediat.

Një burim i sigurisë i tha AFP-së se shërbimet e inteligjencës në Francë po tentojnë të përcaktojnë se kush e kreu këtë sabotim. Ky burim tha se metoda e zjarrvënies i ngjason sulmeve të kaluara të kryera nga figura të ekstremit të djathtë.

Kjo është hera e parë që Lojërat Verore Olimpike do të hapen jashtë një stadiumi. Vendimi i Francës që ceremonia hapëse të mos mbahet në stadium paraqet edhe rreziqe, teksa shteti është në gatishmërinë më të lartë për sulme terroriste.