Ndryshimi i ca deklaratave nga çfarë Gjergj Dedaj kishte folur më herët para hetuesve dhe prokurorisë, sot në Gjykatën Speciale, e ka shtyrë prokuroren Deborah Mayer t’ia rikujtojë dëshmitarit të 33 të tyre që më parë kishte dhënë deklarata nën betim, madje edhe kishte nënshkruar pasi i ishin lexuar ato, dhe për mos-vërtetësinë e tyre mund të ndiqet penalisht.
Nga këtu e tutje Dedaj ka dhënë deklarata interesante, se pas luftës ka kaluar nëpër periudha të vështira dhe nëpër gjendje të rënduar andaj nuk është se e ka thënë plotësisht të vërtetën.
“Nuk kam qenë normal dhe në gjendje me thanë të vërtetën” – tha Dedaj në një moment.
“Edhe sot që jam këtu thash që jam kufomë edhe s’kam asnjë vlerë nuk e di pse jam gjallë, nuk ligshtohna se jam shumë i guximshëm, jam i përgatitur për jetën, mirëpo asnjëherë, por asnjëherë ta etiketoj dhe ta njollos ushtrinë titanike, epike, heroike, ndër më të pastrat, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.”
Gjergj Dedaj deklaroi se nuk ka pasur avokat e as nuk është këshilluar me dikë gjatë dëshmive të mëparshme, çka sipas prokurores Mayer kjo i ishte ofruar me kohë e sipas ligjit.