Përfundon ultimatumi, aromë lufte në Niger, junta mbyll hapësirën ajrore

Junta ushtarake në Niger ka mbyllur hapësirën ajrore të vendit pas përfundimit të ultimatumit nga unioni i vendeve të Afrikës Perëndimore, që kërkonte rikthimin në detyrë të presidentit të rrëzuar Mohamed Bazoum.

Në njoftimin për mediat, ushtria bën me dije se hapësira ajrore do të qëndrojë e mbyllur për një afat të pacaktuar dhe kjo për shkak të kërcënimeve nga fqinjët për të ndërhyrë ushtarakisht në Niger.

Ishin vendet e Afrikës Perëndimore, Ecowas ato që kërkuan rikthimin e presidentit të zgjedhur në mënyrë demokratike, por zëdhënësi i juntës u shpreh se forcat janë gati t’i bëjnë ballë cdo agresioni, duke lënë të kuptohet se nuk do t’i përgjigjen asnjë ultimatumi.

Presidenti Bazoum u rrëzua nga pushteti më 26 korrik dhe ishte gjenerali i rojeve presidenciale, Abdourahmane Tchiani ai që e shpalli veten disa ditë më vonë si lideri i ri.

Ky grusht shteti në Niger është dënuar ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë këtu Francën, ishin fuqi koloniale dhe pjesa tjetër e BE-së, OKB-së dhe Shtetet e Bashkuara.

Në një deklaratë për mediat shtetërore, përfaqësuesi i juntës u shpreh se ka informacione të sigurta që fuqi të jashtme po përgatiten të sulmojnë Nigerin.

Pas një takimi për krizat të zhvilluar në Nigeri, liderët e Ecowas bënë me dije se kanë përgatitur një plan të detajuar për mundësinë e përdorimit të forcës.

Ecowas është një bllok tregtar rajonal i 15 vendeve të Afrikës Perëndimore, duke përfshirë Nigerinë, Senegalin, Togon dhe Gana.

Udhëheqësit e grushtit të shtetit duket se nuk po tregojnë asnjë shenjë vullneti për të hequr dorë nga pushteti dhe të dielën mijëra mbështetës të tyre u mblodhën në mënyrë sfiduese në një stadium në kryeqytetin Niamey.

Nigeri është një prodhues i rëndësishëm i uraniumit, lëndë që është jetike për energjinë bërthamore.