Këtë të diel është përkujtuar në Kolonjë masakra e Borovës, ku 82 vite më parë një nga divizionet gjermane dogji fshatin duke vrarë 107 veta, mes të cilëve shumë gra dhe fëmijë.
Në ceremoninë e këtij viti ishte i pranishëm edhe një qytetar gjerman, i cili kërkoi falje në emër të popullit të tij.
“Vij nga Gjermania, kjo është hera ime e tretë apo e katërt në Borovë. Është faji i gjermanëve për këtë që ka ndodhur, dhe në kujtim të viktimave vij për t’i nderuar. Përpiqem të kërkoj falje në emër të popullit gjerman, edhe pse është e vështirë, por tani ne jemi miq dhe do të jemi miq përgjithmonë,” thotë Ulrich Chilian, qytetar gjerman.
Dy nga të pranishmit në këtë përvjetor, të përlotur, tregojnë atë që ndodhi me familjarët e tyre.
“Humba nënën, babën, dy motra dhe dy vëllezër. E madhja ishte 19 vjeç, i vogli ishte 5 vjeç, unë isha 7 vjeç. U plagosa, por s’më kapi plumbi tamam, i pashë të gjithë të vrarë.”
“Humba xhaxhanin, ishte 16 vjeç, ka qenë nga njerëzit më të zgjuar, më të shkëlqyer. Sa donte të kalonte murin, ata e vranë.”
Kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, e krahason këtë masakër me atë që po ndodh sot.
“Koha tregoi që rrethi ciklik i ngjarjeve përsëritet, me forma të reja, mendësi të reja, por filozofi të njëjta. Europa është në krizë identitare,” thotë Erion Isai, kryetar i Bashkisë Kolonjë.
Viktimat e masakrës së Borovës kanë marrë titullin “Dëshmorë të Atdheut”, ndërsa çdo 6 korrik, familjarë dhe zyrtarë shtetërorë përkujtojnë këtë ngjarje.