Marsona Deshishku, një nxënëse 13-vjeçare nga Prishtina, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në garën ndërkombëtare të gjuhës angleze ‘TeenEagle Global Finals UK’ të mbajtur në Mbretërinë e Bashkuar. Nxënësja e klasës së shtatë nga American School of Kosova është shpërblyer me pesë çmime për performancën e saj krahas 150 bashkëmoshatarëve nga e gjithë bota përfshirë Indonezia, Afrika e Jugut, Filipinet, Turqia, Egjipti, etj. Si garuesja e vetme nga Kosova, Marsona pati rastin të shfaqë flamurin e Republikës së Kosovës në skenë plot pesë herë pas fitoreve të saja si: 1) medalje të artë në njohuri dhe drejtshkrim, 2) medalje të artë në të shkruarit dhe të folurit bindës, 3) vendin e parë në sfidën e debatit, 4) vendin e tretë në kuizin e njohurive dhe 5) vendin e tretë në dëgjim dhe lexim. Marsona Deshishku fillimisht garoi në një raund online nga Kosova për t’u kualifikuar në garat finale botërore të mbajtura në Londër, Mbretëri të Bashkuar. “TeenEagle ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe jam shumë e lumtur që bëra familjen dhe shkollën time krenarë, dhe që pata rastin për herë të parë të përfaqësoj Kosovën ndërkombëtarisht,” tha Marsona pas fitoreve të saja. Që në fëmijërinë e hershme, Marsona ka përvetësuar gjuhën angleze krahas gjuhës shqipe. Sipas Marsonës, edukimi i saj i hershëm në Montessori School of Kosova i ka dhënë një shtysë të madhe në përgatitjen e saj për leximin, shkrimin, mendimin kritik dhe komunikimin në të dy gjuhët. Marsona Deshishku është vajzë 13 vjeçe nga Prishtina dhe nxënëse e Shkollës Amerikane të Kosovës (ASK) ku dhe mësoi për mundësinë për të garuar në TeenEagle 2024. Ndërsa garat TeenEagle organizohen dy herë në vit dhe të drejtë aplikimi kanë të gjitha shkollat dhe nxënësit e Kosovës për moshat 8 – 18 vjeç.