restigjiozja britanike “Daily Mail”, ka shkruar një artikull për arrestimin e shtetasit britanik Sadik Durakut në Serbi, meqë autoritet serbe e akuzojnë se ka kryer krime lufte si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Familja e tij kanë thënë për mediumin britanik se kjo është e pamundur, sepse ai ishte në Britani të Madhe duke aplikuar për azil në vitin 1998 dhe nuk ka lëvizur fare nga ky shtet deri në vitin 2004.
“Një britanik i sëmurë rëndë po mbahet gabimisht në një burg ‘ferri’ serb i akuzuar për krime lufte”, shkruan mediumi britanik.
Ndërsa në një postim në internet, vajza e tij Suzana shkruan se “një ditë pasi Kosova bëri një hap më afër anëtarësimit të Këshillit të Evropës, Serbia ndaloi qindra kosovarë dhe shqiptarë në kalimin e kufirit serb.
“Njëri nga ta ishte babai im, Sadik Duraku. Ndërsa të tjerët janë liruar, babai im mbetet në paraburgim”, shkroi ajo.
“Ajo që na duhet gjithashtu është presioni nga Britania e Madhe për të liruar babanë tim. Ne shqetësohemi se stresi dhe kushtet do ta përkeqësojnë gjendjen e tij”.
Më 19 prill, Gjykata e Lartë për Krime Lufte në Serbi ia ka caktuar një muaj paraburgim Sadik Durakut.
Lajmin është konfirmuar nga Ministria e Jashtme dhe Diasporës, e po ashtu nga familjarë të tij.
“Pas arrestimit, Durakut i është komunikuar nga autoritetet serbe se është i ngarkuar me pretendimet për kryerje të krimeve të luftës gjatë luftës në Kosovë më 1999. Ndaj tij pretendimet për kryerje të krimeve të luftës i ka ngritur Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit”, tha MJPD.
Nga MPJD, u tha se përfaqësuesi i zyrës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për ta marrë informacionet rreth arsyeve të arrestimit të Durakut, si dhe ofrimin e detajeve tjera relevante përkatëse.
“Ambasadori Jashari po ashtu ka komunikuar me përfaqësitë diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi, të cilët i ka njoftuar lidhur me rastin”.
Më 17 prill, Serbia i ndaloi dhjetëra autobusë me rreth 1 mijë e 500 kosovarë për më shumë se 20 orë në pikat kufitare të saj me Kroacinë dhe Hungarinë.
Po ashtu, u ndaluan edhe dhjetë zyrtarë policorë, në mesin e të cilëve edhe një zëvendësdrejtor të Policisë së Kosovës. Që të gjithë u liruan deri më 18 prill.