Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar e më pas liruar dy serbë të cilët po qëndronin afër Urës së Ibrit bashkë me disa të tjerë, duke i penguar punëtorët e kontraktuar për heqjen e grafiteve me mbishkrime nacionaliste, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Policia thotë se personat në fjalë janë paralajmëruar disa herë të mos pengojnë punën dhe të largohen, por të njëjtit kanë vazhduar të pengojnë, kështu që me qëllim të qetësimit të situatës, policia ka vepruar në arrestimin e tyre.
Prishtinë, 8 gusht 2024
Sot, me datën 08.08.2024 rreth orës 11:00, disa persona të nacionalitetit serb ishin tubuar në një lokacion afër urës në Mitrovicë Veri dhe të njëjtit kanë filluar të pengojnë punëtorët të cilët ishin të kontraktuar dhe të angazhuar nga autoriteti kompetent, për të pastruar disa grafite me mbishkrime nacionaliste, që krijojnë nxitje dhe urrejtje si “severna brigada” etj. të cilat ishin në shesh afër urës.
Personat në fjalë janë paralajmëruar disa herë që të mos pengojnë punën dhe të largohen, mirëpo të njëjtit kanë vazhduar duke penguar dhe duke mos lejuar realizimin e punimeve, si dhe kanë provokuar dhe kanë nxitur tensione.
Njësitet policore relevante, me qëllim të qetësimit të situatës dhe krijimit të mundësive për punë, janë detyruar të veprojnë dhe kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim dy persona.
Personat e shoqëruar në stacion policor, pas intervistimit janë liruar.
/Reporteri.net/