Policia e Tiranës pritet të nisë verifikime pranë xhamisë që frekuentonte kardiokirurgu, Dervish Hasi nese ka raste të personave të tjerë që kanë shfrytëzuar vajza të mitura si bashkëshorte, mëson gazetari i Report Tv Sokol Dema.
Tri gratë e Dervish Hasit, i cili ambicien e kishte t’i bënte katër, nuk kanë ndihmuar hetuesit për të dhënë detaje mbi ngjarjen e rëndë të abuzimit të vajzës së mitur 16-vjeçare, e cila prej 2 vitesh hynte e dilte në shtëpinë e tyre me të njëjtin status si ato.
Asnjëra prej tyre, pavarësisht insistimit të policisë, nuk ka pranuar të flas mbi historinë që kalon përtej imagjinatës edhe të vendeve me traditë të gjatë myslimane dhe poligamie. Vetë mjeku 42-vjeçar ka thënë për hetuesit se askush nuk e kishte detyruar të miturën dhe se gjithçka e ka bërë me vullnetin e saj të lirë. Të njëjtën gjë ka thënë dhe vajza në Komisariatit nr. 1.
Pritet të ketë një seancë të dytë marrje në pyetje për të në prani të psikologut, për të zbardhur shkaqet e një skandali të tillë. Policia ka pyetur edhe familjarët e saj, të cilët janë shprehur se nuk kishin zgjidhje tjetër për shkak se vajza ishte e bindur në idetë që ia kishte ngulitur mjeku Hasi. Policia nuk ka pasur një denoncim të mirëfilltë për rastin, por vetëm indicie të cilat çuan në zbardhjen e ngjarjes.
Në celularin e kardio-kirurgut të Sanatoriumit u gjetën video në një grup chat-i me përmbajtje seksuale, ku pjesë e tyre ishte edhe e mitura, të cilat janë një provë shumë e rëndësishme për hetuesit. Në të gjithë këtë situatë, të cilën Hasi e lidh me besimin, sidomos për mbajtjen e 2 a më shumë grave, ka detyruar policinë të nis një verifikim edhe për xhaminë që frekuentonte ai çdo ditë.
16-vjeçarja që është abuzuar seksualisht nga kardiokirurgu Dervish Hasi është marrë në mbrojtje nga shteti, bëjnë me dije burime për Report Tv.
Në fokus do të jenë raste të mundshëm të personave të tjerë që shfrytëzojnë vajza të mitura si bashkëshorte. Së fundi, vetëm dy orë pasi lajmi u bë publik, Alketa Gjoni një grua e besimit islam, bëri postim tronditës.
“U bë gati një vit që paralajmërojmë për rrjete prostitucioni të femrave me shami dhe shfrytëzim të të miturave nga grupacionet myslimane. Duhet të dilni në media që të bindeni që këto histori janë të vërteta”.
Një njohur e Alketës, Migena Balla, në 3 janar, shkruan për vajza që shiten në Arabinë Saudite për 500 euro.
“Janë nisur me mirëbesim për të besuar se janë myslimanë, por në fakt kanë gjetur perversitetet nga më të çuditshmet dhe nuk kanë ku të ankohen”, shkruan ajo.