Policia e Kosovës dhe gazetarët brenda objektit të Komunës së Zveçanit

Policia e Kosovës ka vendosur të evakuojë gazetarët, duke i futur brenda objektit të Komunës së Zveçanit.

Situata në Zveçan është më e tensionuar. Para kësaj komune janë mbledhur një grumbull i qytetarëve, ndërsa është edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetari Igor Simiq.

Ata i kanë bërë kërkesa KFOR-it, që e ka rrethuar perimetrin rreth Komunës, që të largohen veturat e Njësitit Special të Policisë së Kosovës.

Policia ka vlerësuar se gazetarët mund të jenë të rrezikuar dhe u ka thënë se mund të strehohen brenda Komunës.

Brenda objektit të Komunës gjenden edhe shumë pjesëtarë të Njësitit Special të Policisë së Kosovës.

Ndërkohë kordoni mes turmës dhe Komunës është i përbërë nga ushtarët e KFOR-it.

Policë të Njësisë Speciale ka edhe brenda autoblindës që gjendet jashtë Komunës në mesin e turmës, Protestuesit po lëshojnë muzikë nacionaliste serbe.

Në Zveçan drejtuesi i KFOR-it ka biseduar me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetarin Igor Simiq, ndërsa u ka kërkuar atyre që të lirohet rruga.

Veturës së mediumit nga Shqipëria, “TopChannel”, i është hequr targa dhe janë shkruar “C” serbe.