Policia e Kosovës largon 50 kamera ilegale në fshatrat serbe të Gjilanit

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë në Gjilan ka larguar të gjitha kamerat ilegale në komunat me shumicë serbe në rajonin e Gjilanit.

Prokurori i Shtetit ka dhënë urdhër për t’i larguar kamerat, të cilat dyshohet se janë të kontrolluara nga Beogradi dhe janë të vendosura në fshatrat serbe.

Të shoqëruar nga Policia e Kosovës, punëtorët e KEDS-it kanë asistuar në largimin e këtyre kamerave.

Aksioni është konfirmuar edhe nga zëdhënësja e Prokurorisë së Gjilanit, Liridona Xheladini.

Ajo tha se janë sekuestruar rreth 50 kamera në fshatrat serbe në Rajonin e Gjilanit, pasi dyshohet se të njëjtat janë përdorur për fotografime dhe incizime të paautorizuara.