Policia e Kosovës po kërkon ndihmë nga qytetarët në kapjen e shtetasit Edon Bytyqi, i cili është identifikuar si i dyshuar për rreth 16 raste të mashtrimit, 2 në Mitrovicë e të tjerat në pjesë tjera të vendit.
Sipas njoftimit, identifikimi i personit të dyshuar është bërë në bashkëpunim dhe koordinim me Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor të Policisë së Kosovës (ILECU), përmes të cilës Drejtori është kërkuar asistimi i autoriteteve kompetente të Bosnjës dhe Hercegovinës, kjo pasi i njëjti dyshohet se aktualisht është me lokacion në këtë shtet.
I njëjti, sipas Policisë, është nga fshati Arllat, andaj meqë dyshohet se është jashtë Kosovës, kallëzimi penal ndaj tij është paraqitur në mungesë.
“Duke marrë parasysh se ai ka urdhër-arreste aktive edhe për vepra të mëhershme penale dhe ekziston mundësia e lëvizjes së tij në shtetet e rajonit, Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët bashkëpunim dhe për çdo informatë që posedojnë ta njoftojnë policinë me qëllim të lokalizmit dhe arrestimit të tij”, thuhet në njoftim.
Policia tha se dyshimi për Edon Bytyqin bazohet në prova se ai, me anë të paraqitjes së rreme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, “duke përdorur emra të personave publikë dhe zyrtarë, kishte vënë në lajthitje qytetarët duke i mashtruar që t’i dërgojnë para përmes institucioneve të transfereve financiare andaj hetuesit policorë kanë paraqitur Kallëzim Penal në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë” ndaj tij.
Policia apelon te qytetaret që të mos bien pre e mashtrimeve të kësaj natyre, për çdo dyshim të kontaktojnë policinë në stacionin më të afërt policor apo përmes numrave të telefonit:
-192
-+383 28-532 363
E-mail: info@kosovopolice.com